Shtetasi turk Bilal Kara është arrestuar në Maqedoninë e Veriut për llogari të autoriteteve vendase me akuzën për mashtrim të pacientëve dhe abuzim me fondet e sigurimeve shëndetësore.
Ai është biznesmen turk, bashkëpronar i grupit spitalor Sante Plus dhe konsull nderi i Maqedonisë së Veriut në Izmir.
Hetimet disamujore për të lidhen me një skemë të dyshuar mashtrimi me operacionet e syve, që ka dëmtuar deri në 4 mijë pacientë.
Autoritetet atje zbuluan një skemë ku spitali privat faturonte dy herë të njëjtat operacione të syve.
Pacientët paguanin nga xhepi çmimin privat të ndërhyrjes, ndërkohë që spitali merrte pagesa edhe nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, pa i informuar pacientët.
Kara është një nga tetë personat e arrestuar gjatë operacionit policor në shtetin fqinj, ndërsa është dërguar në Gjykatën Penale për t’u paraqitur përpara gjyqtarit të procedurës paraprake.
Mes të arrestuarve është edhe Gerjana Arapi, ish-drejtoreshë e spitalit.
Gjatë kontrolleve në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë janë sekuestruar edhe rreth 50 mijë euro.
Përmes faturave fiktive dhe të dhënave të rreme në sistemin elektronik, institucioni shëndetësor dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme rreth 4.25 milionë euro gjatë viteve 2022-2025.
Dëmi i shkaktuar buxhetit të Fondit llogaritet në rreth 1.7 milionë euro.
Bilal Kara ishte në kërkim edhe nga drejtësia shqiptare. Më 28 tetor 2025, autoritetet shqiptare sekuestruan spitalin privat “International Medicare”, ish-“Sante Plus”, në zonën e Zogut të Zi në Tiranë, një objekt me vlerë rreth 3 milionë euro.
Hetimet në Shqipëri kishin nisur në vitin 2024, pas denoncimit të një pacienti portugez, i cili kishte paguar 5200 euro për tri ndërhyrje që nuk iu kryen kurrë, pasi mjekët u larguan nga spitali.
Nga kontrollet e kryera në shtator 2025, hetuesit zbuluan rreth 1 milion euro fatura jotatimore, medikamente të skaduara në sallat kirurgjikale dhe dyshime se në klinikë punonin mjekë, kryesisht shtetas turq, të palicencuar në Shqipëri.


