Pas protestave të dhunshme, Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka bërë të ditur se janë identifikuar 52 persona të dyshuar për përfshirje në akte dhune. Sipas tij, materialet procedurale për këta persona i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e hetimeve dhe marrjen e masave ligjore.
Hita bëri gjithashtu me dije se 201 efektivë policie janë plagosur gjatë ushtrimit të detyrës, ndërsa theksoi se Policia garanton të drejtën për protestë dhe ushtrimin e papenguar të veprimtarisë së medias, duke nënvizuar se dhuna nuk mund të justifikohet.
“Gjatë dy javëve të fundit, kryeqyteti është përballur me akte të rënda dhune, të drejtuara ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, institucioneve shtetërore, pronës publike dhe private, duke cenuar njëkohësisht sigurinë e qytetarëve dhe të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore. Si pasojë e këtyre akteve të dhunshme, 201 punonjës të Policisë së Shtetit kanë mbetur të plagosur gjatë përmbushjes së detyrës së tyre për garantimin e rendit, sigurisë publike dhe ushtrimit të lirë të së drejtës për tubim paqësor. Krahas veprimeve procedurale të kryera në vijimësi, strukturat e Hetimit të Krimit, në bashkëpunim me strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, kanë intensifikuar punën për identifikimin e personave të përfshirë në aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore dhe pronës publike e private. Nga këqyrja dhe analizimi i pamjeve filmike, deri më tani janë identifikuar 52 persona të dyshuar për përfshirje në akte të dhunshme, pavarësisht përpjekjeve për të fshehur identitetin përmes maskimit.
Materialet procedurale në ngarkim të tyre janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme ligjore. Puna hetimore dhe analizimi i pamjeve filmike vijojnë, me qëllim identifikimin dhe dokumentimin e plotë të çdo veprimi të dhunshëm të kryer gjatë dy javëve të fundit, përfshirë ato që kanë vënë në rrezik serioz jetën dhe shëndetin e punonjësve të Policisë dhe qytetarëve. Në këtë kontekst, dëshiroj të përsëris edhe një herë thirrjen time publike, në radhë të parë për prindërit, që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos lejojnë përfshirjen e fëmijëve të tyre në situata ku ushtrohet dhunë dhe rrezikohet siguria e tyre.
Njëkohësisht, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të distancohen nga çdo akt dhune, të shmangin qëndrimin pranë personave që ushtrojnë dhunë dhe të bashkëpunojnë me shërbimet e Policisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Policia e Shtetit është dhe mbetet e vendosur të garantojë të drejtën kushtetuese të tubimit dhe protestës paqësore, por njëkohësisht do të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe parimin e proporcionalitetit, ndaj cilitdo që përdor dhunën, rrezikon jetën e njerëzve apo dëmton pronën publike dhe private.
E drejta për të protestuar është e garantuar dhe duhet respektuar. Dhuna, nga ana tjetër, nuk mund të justifikohet dhe as të mbrohet në emër të kësaj të drejte. Dëshiroj të ndalem veçanërisht edhe te marrëdhënia e Policisë së Shtetit me median, jo thjesht në përgjigje të shqetësimeve të ngritura nga organizatat e gazetarëve, por mbi të gjitha për të riafirmuar vlerësimin dhe respektin institucional për rolin dhe misionin e saj në një shoqëri demokratike.
Policia e Shtetit e konsideron median një partner të rëndësishëm në informimin e publikut dhe në garantimin e transparencës institucionale. Gazetarët, operatorët dhe fotoreporterët kryejnë një mision me interes publik, shpesh në rrethana të vështira dhe me rrezik të shtuar, ndaj e drejta e tyre për të ushtruar lirisht dhe në mënyrë të pavarur profesionin duhet të respektohet dhe të mbrohet. Në këtë kuadër, bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Shtetit dhe përfaqësuesve të medias duhet të mbështetet në respektin e ndërsjellë, komunikimin e vazhdueshëm, transparencën dhe përgjegjësinë profesionale. Veçanërisht gjatë tubimeve dhe situatave që shoqërohen me tensione apo akte dhune, është e domosdoshme të forcohet koordinimi në terren, përmes një komunikimi të qartë dhe në kohë ndërmjet shërbimeve policore dhe përfaqësuesve të medias.
Ky bashkëpunim duhet të garantojë njëkohësisht ushtrimin e papenguar të veprimtarisë gazetareske dhe respektimin e masave të ligjshme të sigurisë, të cilat synojnë mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të gjithë personave të pranishëm. Udhëzimet e shërbimeve policore, respektimi i perimetrave të sigurisë të vendosur në përputhje me ligjin dhe komunikimi i drejtpërdrejtë në terren janë elemente të rëndësishme për parandalimin e incidenteve, pa cenuar të drejtën e medias për të dokumentuar dhe raportuar zhvillimet me interes publik. Po kështu, çdo shqetësim apo pretendim për pengim të punës së gazetarëve ose për sjellje të papërshtatshme nga punonjës të Policisë trajtohet me seriozitet, objektivitet dhe në përputhje me procedurat ligjore. Dua të theksoj se siguria e gazetarëve dhe liria e informimit nuk janë në kundërshtim me garantimin e rendit publik. Përkundrazi, ato janë përgjegjësi që duhet të përmbushen së bashku, përmes profesionalizmit, mirëkuptimit dhe respektimit të ligjit.
Policia e Shtetit mbetet plotësisht e angazhuar për të garantuar kushtet e nevojshme që gazetarët të ushtrojnë të lirë dhe të sigurt profesionin e tyre, duke qenë njëkohësisht e hapur për një komunikim më të drejtpërdrejtë dhe bashkëpunim më të strukturuar me organizatat përfaqësuese të medias. Besoj se vetëm përmes komunikimit institucional, respektit të ndërsjellë dhe përgjegjësisë profesionale mund të shmangim keqkuptimet, të parandalojmë incidentet dhe t’i shërbejmë së bashku interesit publik. Policia ka detyrimin të garantojë sigurinë. Media ka misionin të informojë. Respektimi i këtyre dy përgjegjësive është në interes të qytetarëve dhe të një shoqërie demokratike”, tha Hita.


