14 Tetori ka hapur dyert e universiteteve për të mirëpritur studentët për vitin e ri akademik 2019-2020. Në kryeqytet Lëvizja për Universitetin zgjodhi pikërisht këtë ditë për t’I rikujtuar qeverisë anulimin e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe se protestat e tyre do të vijojnë sërish.
Dita e hënë riktheu në auditore studentët për vitin e ri akademik 2019-2020 të nivelit Bachelor në të gjitha universitetet e vendit. Dita e parë ishte disi kaotike tek Fakulteti i Ekonomisë dhe ai i Histori-Filologjisë në Tiranë.
Nisja e vitit të ri akademik rizgjoi sërish edhe Lëvizjen për Universitetin të cilët u mblodhën para Ministrisë së Arsimit me një pankartë të madhe duke i kërkuar qeverisë të anuloje Ligjin për Arsimin e lartë dhe përgjysmimin e tarifave.
Studentët shprehen se pavarësisht ndryshimeve në Kodin Penal, ato nuk do të ndalojnë protestat e tyre. Në përfundim të tubimit të tyre Lëvizja për Universitetin kishte dhe një mesazh për qeverinë në murin e godinës së Ministrisë së Arsimit./ABC News Albania