Kryeministri Edi Rama duke folur sot në Kuvend një ditë pas debatit në Parlamentin holandez për fatin e negociatave me BE të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, tha se ata që duan të kuptojnë, duhet ta kenë marrë mesazhin se qëndrimi skeptik i disa vendeve mes tyre edhe Holanda nuk ka të bëjë me problemet e brendshme politike që ka vendi ynë, por se disa forca politike në vendet anëtare të BE janë kundër zgjerimit të unionit.
Madje Rama ka akuzuar opozitën jashtëparlamentare të Shqipërisë se bojkotoi parlamentin pikërisht që të mos çelen negociatat:
“E keni ndjekur debatin e djeshëm në parlamentin e Holandës, ma ha mendja se ai debat ishte një mundësi për të kuptuar të gjithë ata që duan të kuptojnë, se sa e pavërtetë dhe sa e padrejtë është e tërë propaganda që synon të lidhë luftën e brendshme politike në Shqipëri me qëndrimet e disa vendeve mes të cilave është edhe Holanda.
Në debatin e djeshëm, gjithkush ishte i vëmendshëm, e ka parë se si e gjithë çështja e ecurisë së mëtejshëme e Shqipërisë në procesin e integrimit është trajtuar si një çështje e politikës së brendshme të atij vendi.
Besoj se duke ndjekur debatin në Parlamentin Holandez kushdo do të kuptojë ka kuptuar se fjalimet i janë drejtuar elektoratit të atij vendi e në gjithë qasjen e Parlamentit apo partive të ndryshme është përvijuar i gjithë debati i brendshëm me forcat pro zgjerimit kundër, me zërat që fuqizojnë mesazhin e nevojës për gë vazhduar procesin e zgjerimit dhe zërat që fuqizojnë mesazhin e nevojës për ta ndaluar procesin e zgjerimit.
Besoj ju ka mjaftuar të gjithë atyre, që në mënyrë vulgare e të pabesë, ndaj atyre që i dëgjojnë janë munduar të paraqesin para opinionit publik shqiptar një tablo të pikturuar sipas ngjyrave të tyre politike e jo sipas nevojës për të ndarë së bashku përgjegjësinë për të çuar përpara procesin tonë të integrimit, qëllim i përbashkët se në këtë pikë të gjitha partitë politike janë të bashkuara. S’ka që të predikojë ndonjë plan tjetër, përtej horizontit të BE.
Ata që janë përpjekur të thonë se ndarja në propagandë apo në qëndrime mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do cojë në një ndarje në gjykimin e përgjithshëm jo vetëm kanë gabuar por kanë dështuar në përgatitjen e një terreni politik këtu në funksion të axhendës së tyre politike.
Ka një ndryshim të madh që ka përcaktuar edhe në një pjesë të mirë dallimin në qëndrime ky është qasja e opozitës në vendin fqinj dhe qasja e opozitës këtu, flas për opozitën që s’është në Parlament e që e braktisi e dogji mandatet e bojkotoi zgjedhjet me një qëllim, për të minuar çeljen e negociatave.
Maqedonia e Veriut nuk është vend pa konflikte, por është një vend që ka frymëzuar edhe qasjen destruktive të opozitës që s’është këtu në parlament e cila në mënyrë naive ka besuar se duke kopjuar opozitën e deridjeshme ne Maqedoni do arrinte të rrëzonte shumicën legjitime në këtë vend. Opozita në Maqedoni as dje, as sot, nuk merr rrugët e Evropës për të bërë të pabërën për vendin e vet, nuk furnizon kanalet e komunikimit me partitë simotra apo individë të caktuar për të ushqyer çdo ditë ata të cilët e kam thënë disa herë, nuk janë kundër Shqipërisë, s’kanë ndonjë gjë specifike me Shqipërinë, por ka një qasje tjetër për arsye legjitime në vendet e tyre.
Keni dëgjuar në ndonjë rezolutë, deklarata, fjalim në parlamente të vendeve që janë më ngurruese ndaj zgjerimit, ndonjë fshat, qytezë, qytet periferik të Maqedonisë së Veriut, si kanë përfunduar nëpër gjermanisht e holandisht, Peqini, Kavaja, Dibra? Keni dëgjuar, nuk a bërë vaki, jo se atje s’ka pas probleme, apo kontestuar zgjedhjet, jo se atje nuk ka pasur deri edhe refuzim për të hyrë në zgjedhje, këta që janë sot në qeveri në Maqedoninë e veriut ishin në opozitë të shtypur, kanë kërcënuar me braktisje nga zgjedhjet, se nuk kishin besim te procesi, por nuk kanë cuar nëpër Evropë historia që jashtë kufijve kanë vetëm një efekt, të furnizimit me pseudoargumente, apo edhe argumente të importuar të qëndrimeve të forcave të caktuara kundër zgjerimit.
Vendimi i KE nuk ka lidhje fare, por fare me çfarë kemi bërë apo nuk kemi bërë ne, fare. Sepse e thashë këtu, unë nuk mendoj që Finlanda që ka presidencën e BE qënka më pak ekzigjente dhe qenka më tolerante ndaj krimit sesa Holanda, nuk bën vaki. Nuk mendoj që Austria qenka më pak e interesuar për të pasur zgjedhje më të mira te ne sesa Gjermania.
Nuk mendoj që Suedia i paska sytë e mbyllur përballë reformës në drejtësi dhe nuk i bën përshtypje se Kushtetuesja nuk është funksionale dhe kjo i bëka përshtypje Gjermanisë, nuk funksionon kështu.
Nuk mendoj që Franca qenka më larg në këndvështrimin e saj ndaj të gjitha çështjeve ndaj të cilave Gjermania është më afër për arsye të standardeve të tjera, absolutisht, jo. Thelbi, që nuk duhet ta mohojnë e jo më ta transformojnë në shashkë për politikë të brendshme, qëndron tek një situatë në BE që nuk ka lidhje fare me ne dhe ku ne përfshihemi me Maqedoninë, Serbinë e Malin e Zi, Kosovën e Bosnjën me vendet brenda Evropës por jo brenda BE, si rrjedhojë e jo burim, pasojë por jo si shkak
nuk jemi ne shkaku që BE nuk është unanim sot, për një qëndrim të thjeshtë të qartë e të prerë për rekomandimin e KE që paguhet nga BE, nuk jemi ne, jemi thjesht dhe vetëm të përfshirë”, tha Rama.