Kryeministri i ri austriak, Sebastian Kurz, deklaroi se vendosja me detyrim e kuotës së emigrantëve nuk e ndihmon aspak Bashkimin Europian. Madje ai këmbëngul se nëse vazhdohet kështu BE do të përçahet.
Të detyrosh vendet që të presin refugjatët në territorin e tyre nuk ndihmon Bashkimin Europian. Është kjo deklarata e kryeministrit të ri austriak Sebastian Kurz i cili tashmë drejton një koalicion qeverisës të përbërë nga e djathta dhe ekstremi i djathtë. Në një intervistë për të përditshmen gjermane Bild am Sontag ai ka kundërshtuar prerë kuotat e Bashkimit Europian për shpërndarjen e emigrantëve.
Kurz shtoi më tej se nëse vazhdohet kështu Bashkimi Europian do të përçahet dhe shtetet anëtare do të vendosin secili për vete se sa persona do të pranojnë në territorin e tyre. Sipas tij diskutimet për kuotat e emigrantëve nuk kanë asnjë kuptim sepse ata që vendosn të vijnë në Europë nuk dëshirojnë të shkojnë në Bullgari apo Hungari, por duan të shkojnë në Gjermani, Austri apo Suedi. Kurz i propozon Bashkimit Europian që të mbështesë një politikë që ndihmon emigrantët në vendet e tyre të origjinës. Sistemin e rishpërndarjes së emigrantëve të vendosur nga Brukseli e kundërshtojnë Polonia, Republika Çeke, Hungaria dhe Sllovakia./abcnews.al