Dikush mendoi të bëhej i famshëm, ndërsa dhunonte kafshë dhe i hidhte videot në rrjet. Ashtu e plagosur, në videon e fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonë, macja zvarritet për t’u fshehur nga dhunuesi i saj, një 39 vjeçar nga Tirana.
Të martën, policia njoftoi se efektivë të komisariatit nr 4 në kryeqytet shoqëruan një 39 vjeçar si autor te dyshuar te asaj ngjarje.
Suel Karameta u procedua në gjendje të lirë për tre vepra penale, “Keqtrajtimi i kafshës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
39 vjeçarit, gjatë kontrollit në automjetin e tij iu gjet edhe një armë sportive, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në rastet e mëparshme thuajse të njëjta në Durrës dhe në Berat, kur qytetarët janë filmuar duke keqtrajtuar kafshët, policia është mjaftuar vetëm me procedim në liri të tyre.
Por duket se qëndrimi i uniformave blu ka ndryshuar. Për kujtesë, të dhunosh kafshët, dënohesh thuajse njëlloj si të dhunosh njerëzit.
Sipas Kodit Penal, ata që shpallen fajtorë për krime kundër kafshëve rrezikojnë burgim deri në dy vite. Ndërsa sa për dënimin moral, besoj këto pamje mjaftojnë më shumë sesa prangat dhe koha në qeli.