Shtetet e Bashkuar të Amerikës mirëpresin vendimin e opozitës për të dërguar përfaqësues në tryezën për reformën zgjedhore e thirrur nga prezenca E OSBE-së dhe bashkëkryetarët e Komisionit, Rudina Hajdari dhe Damian Gjiknuri.
Në një postim në rrjetet sociale, ambasada e SHBA-së përshëndet përpjekjet e liderit të opozitës, Lulzim Basha, mbi forcimin e institucioneve demokratike.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e partive opozitare për të dërguar përfaqësues në konferencën për reformën zgjedhore bashkërenduar nga parlamenti dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri. Ne përshëndesim Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha që thirri një takim të opozitës dje. Përpjekjet e tij demonstrojnë udhëheqësi të vërtetë mbi një çështje thelbësore për forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara mbështesin miratimin e reformave të nxitura nga ekspertët zgjedhorë të OSBE/ODIHR në mënyrë që Shqipëria të mund të zhvillojë zgjedhje që janë të lira nga shtrëngimi, trysnia politike, dhe blerja e votës. Populli shqiptar nuk meriton asgjë më pak se sa kjo”, thotë ambasada e shteteve të Bashkuara./abcnews.al