Opozita, as me drejtësinë, as me zgjedhjet e reja!

schedule10:08 - 21 Korrik, 2023

schedule 10:08 - 21 Korrik, 2023

Opozita bëri sot spektaklin e radhës në Kuvend, në përpjekje për të treguar se ishte e zemëruar. Rituali i saj i zakonshëm i dhunës në Kuvend, fillon gjithmonë me idiotësitë e Flamur Nokës dhe mbahet gjallë me hakërrimet e Sali Berishës, i cili në fakt ka merak të na tregojë se është i egër me Lulzim Bashën dhe i butë me Gazmend Bardhin, më shumë se sa të na tregojë si është me Edi Ramën dhe qeverisjen e tij. Akoma më në siklet janë ata deputetët që nuk kanë qejf të jenë me Bashën, por nuk janë aq trima sa të jenë me Saliun, dhe dashurohen me fruta dhe perime si shalqi, kunguj e kastraveca, që i sjellin në Kuvend.

Të tjerët bëjnë ç’është e mundur të duken të kënaqur kur flet Berisha.

Përballë këtij agresioni janë një tufë socialistësh të heshtur, që urojnë me vete mos t’i shikojë Berisha dhe sidomos të mos ua dijë emrin, se pastaj i shan. Dhe fusin kokën poshtë tavolinës.

Gjithësej janë pesë a gjashtë deputetë dhe ministra socialistë që nuk e kanë kompleks Berishën dhe që mbajnë në këmbë gjithë debatin.

Po përse debaton një opozitë kaq e “zemëruar’ në Kuvend?

Një opozitë e gjendur përballë atyre që ajo i quan skandale të rënda siç është rasti i Arben Ahmetaj, duhet të mbajë qëndrim politik. Dënimi pa fund i zyrtarëve socialistë nga drejtësia nuk është një fitore e opozitës, por një fitore, nëse është e tillë, e drejtësisë. Opozita jonë është emblematike, që në kohën e saj, kur përballej me drejtësinë, e shpallte atë armike. Sali Berisha për të mos dorëzuar djalin e tij në prokurori i shpalli luftë prokurorisë, për të mos dorëzuar Mediun i shpalli luftë Gjykatës së Lartë, për të mos dorëzuar Ilir Metën shkoi në mesnatë në shtëpi të tij dhe pa “filma” në laptopin e Monikës, për t’u bindur ç ‘kishte bërë djali me Dritan Priftin, për të mos dorëzuar vrasësit e Remzi Hoxhës i bëri ata drejtorë të mëdhenj, e kështu me radhë.

Nëse sot opozita gëzohet që socialistët nuk janë aq të zotë sa ata që t’i mbriojnë njerëzit e tyre nga drejtësia, kanë të drejtë të gëzohen, por jo si triumfatorë, por si hajdutë me imunitet. Për fat socialistët i janë dorëzuar drejtësisë.

Në rast se do të mbajë qëndrim politik ndaj bilancit të rënduar të ndëshkimeve nga drejtësia mbi socialistët, atëherë duhet të kërkojë rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhje të reja.

Këto janë dy rrugët se si një opozitë i përgjigjet një situate të tillë.

Ose të mbajë anën e drejtësisë, ose t’i kërkojë qeverisë të shkojnë në zgjedhje dhe të verifikojnë mandatin e tyre popullor.

Opozita jonë, në këtë betejë nuk është as me drejtësinë, as me zgjedhjet e reja. Është dakord të vazhdojë qeverisja, por ata të bëjnë si të fortë në Kuvend derisa të binden që janë më të fortë se Lulzim Basha, ose akoma më tepër derisa të binden që Gaz Bardhi nuk do iki me Lulin, por me Salën.

Kjo është një opozitë e mjerë. E mjerë në teatrin që bën në Kuvend, e mjerë në pafuqinë e saj dhe mbi të gjitha, e mjerë në moralin e saj. Edhe pse sot ka më shumë pushtetarë në burg se në çdo periudhë të historisë së Shqipërisë, opozita ende nuk guxon të mbrojë drejtësinë e re, por përpiqet t’i paraqesë ndëshkimet si ndëshkime të Edi Ramës, duke i bërë atij dyfish nder, dhe duke dëshmuar se është gati të pajtohet me çdo gjë përveç drejtësisë.

Mbi të gjitha është një opozitë që nuk guxon të thotë me gojën plot: Duhet të shkojmë në zgjedhje!

Kjo është fuqia reale e një opozite. Pastaj nëse shkohet në zgjedhje apo jo, e ka në dorë qeveria.

Por këtu opozitarët janë më të zemëruar me Edi Ramën pse nuk mbron bashkëpunëtorët e vet që po dënohen nga drejtësia, dhe pse thotë në mbledhje grupi që mund të shkojmë në zgjedhje, se sa me ato që ndodhin. Në fakt, sillen si gardianët më të mirë të qeverisë, duke ua shpifur shqiptarëve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!