Aktivistja suedeze Greta Thanberg ka shpërthyer ndaj liderëve botërorë, duke i akuzuar për indiferencë ndaj ndryshimeve klimatike. Në samitin e posaçëm në Nju Jork, Thanberg u tha liderëve se po shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve.
Aktivistja adoleshente suedeze Greta Thanberg ka deklaruar përpara liderëve të të gjithë botës se kanë dështuar të veprojnë kundër ndryshimeve të klimës. “Ju keni vjedhur ëndrrat tona dhe fëmijërinë tonë me fjalët tuaja boshe”, u tha Thanberg 60 liderëve të mbledhur në samitin njëditor për klimën në selinë e OKB-së në Nju Jork. Presidenti amerikan Donald Trump, një skeptik i ndryshimeve të klimës, nuk pritej të merrte pjesë në samit por ishte i pranishëm mes audiencës. “E gjitha kjo është e gabuar! Por sërish ju vini tek ne të rinjtë dhe na flisni për shpresë. Si guxoni?”, u tha aktivistja adoleshente krerëve të shteteve. Ajo u bëri thirrje atyre që të veprojnë urgjentisht, duke paralajmëruar se ajo dhe aktivistë të tjerë do t’i mbajnë nën mbikëqyrje. Samiti për klimën mbahet disa ditë pasi miliona njerëz morën pjesë në një manifestim global për klimën, të nxitur nga aktivistët e rinj. Në prag të takimit, shkencëtarët paralajmëruan se efektet dhe impaktet e ngrohjes globale po përshpejtoheshin. “Ne duhet ta dëgjojmë klithmën që vjen nga fëmijët tanë”, deklaroi profesor Brajan Hoskins. Teksa rreziku i ngrohjes globale bëhet gjithnjë e më i dukshëm, po aq e dukshme është edhe mungesa e vullnetit kolektiv për t’u përballur me këtë çështje. Në vitin 2015 në Paris, liderë nga e gjithë bota shprehën vendosmërinë për t’u përballur me këtë fenomen, por nismat e ndërmarra deri më sot nga qeveritë dhe bizneset janë fare modeste. /ABC News Albania 24/7