Nuk pranoi takim me Ramën/ Pal Lekaj i ashpër me kryeministrin: Sjellja e Kurtit, absurde!

schedule16:25 - 7 Korrik, 2023

schedule 16:25 - 7 Korrik, 2023

KOSOVË– Deputeti i Ardhmërisë së Kosovës, Pal Lekaj e cilësoi “absurde” veprimet e kryeministrit Albin Kurti, i cili pavarësisht thirrje publike, nuk zgjodhi të takohet kryeministrin Edi Rama në turin e djeshëm në Prishtinë.

Gjatë intervistës në “Ballkan Update”, Lekaj tha se Kurti duhet të lërë mënjanë raportet personale me Ramën, pasi është kryeministër i Kosovës dhe për këtë duhet të respektojë çdo vizitë të përfaqësuesve shqiptarë.

“Është dashur që Kosova ta presë kryeministrin me çdo kapacitet të saj. Në këtë rast, relacionet i kemi mes dy kryeministrave, që është për t’u çuditur se tek Kurti ekziston inati që të lënë përshtypjen se merret me politikat e mëhallave. Nuk guxojmë ne në këtë mënyrë të veprojnë, sepse kryeministri i Shqipërisë ka ardhur në shtetin e Kosovës dhe nuk më interesojnë raportet personale mes dy krerëve të shteti, por më intereson pjesa zyrtare”, tha ai.

Ai shtoi se kryeministri  Edi Rama erdhi për të folur për procesin e  Berlinit  dhe për tensionet në veri, por Kurti zgjodhi egon personale dhe kjo për Lekajn është sjellje totalisht e gabuar.

“Unë jam çuditur se pse nuk e ka pritur Kurti, edhe pse e kanë sqaruar arsyen. Ka gabuar, sepse takimet duhet të bëhen edhe nëse nuk dakordohemi. Është absurde që mos ta presë kryeministrin e Shqipërisë, kur kemi të bëjmë me çështje politike dhe me Procesin e Berlinit, që Kurti e ka përkrahuar dhe tani nuk ulet në tryezë. Ne jemi vëllezër dhe duhet të kemi tolerancë mes dy qeverive, edhe atëherë kur kemi mendime ndryshe, por është për të ardhur keq se si dominon egoja personale”, tha ai./ n.m.abcnew.al