KOSOVË- Refuzimi i Albin Kurtit për të takuar Edi Ramën në Prishtinë, gjate turit të tij rajonal, shkaktoi reagim të ashpër nga partitë opozitare në Kosovë. Kreu i Lidhjes Demokratike në Kosovë, Lumir Abdixhiku, deklaroi se Rama do të jetë gjithmonë i mirëpritur në Prishtinë.
“Natyrisht që kryeministri i Shqipërisë është i mirëpritur në Kosovë. Fakti që ne e diskutojmë pritjen ose jo të tij tregon shumë për gjendjen në të cilën ka ardhur Kosova. Kryeministri është i mirëseardhur gjithmonë në Kosovë”, tha ai.
Kritika ndaj kreut të qeverisë së Kosovës ka pasur dhe nënkryetarja e partisë demokratike, vlora Citaku. Përmes një postimi në rrjetet sociale ajo shprehet se Kurti takohet pa kushte me presidentin e Serbisë, ndersa kushtezon takimin me kryeministrin e Shqipërisë.
“Si është e mundur që Kryeministri Kurti refuzon takimin me Kryeministrin e Shqipërisë? Si është e mundur?! Kjo është marrëzi. Turp. Vuçiçin e takon pa kushte, e Ramës i vendosë kushte. Kryeministër, Kosova nuk është lodër. Qeverisja nuk është lojë fëmijësh. Lëri inatet, mllefet e hatërmbetjet personale”, shkroi ajo.
Rama ka paralajmëruar vizita, duke nisur nga e enjtja në 5 shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor për të takuar liderët e tyrë e për t’i informuar mbi përgatitjet për Samitin e Procesit të Berlinit që mbahet në Tiranë këtë vjeshtë. Turi i tij nis me Shkupin e vazhdon me Prishtinën.