Vendimi për Tahirin, PD: Doli i paprekur nga drejtësia, sepse Rama…

schedule17:12 - 20 Shtator, 2019

schedule 17:12 - 20 Shtator, 2019

Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Rama për vendimin e marrë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për ish-ministrin Tahiri. Në një dalje nga selia blu, sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi deklaroi se kreu i qeverisë është peng i lidhjeve të krimit ndaj edhe ndikoi te gjyqtarët për ta dënuar Tahirin për shpërdorim detyre duke rrëzuar akuzat për trafik droge.  

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri nuk përfundoi në burg sepse në mbrojtje të tij përgjatë dy viteve të gjykimit ishte kryeministri Edi Rama. Ky është qëndrimi që demokratët kanë për vendimin e dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për Tahirin, duke e cilësuar kreun e qeverisë peng të dosjeve të korrupsionit.

Sipas numrit dy të demokratëve, shqiptarët dhe kushdo që besoi deri në fund se mund të shikonte pas hekurave Tahirin morën një goditje të rëndë me vendimin që u dha, i cili njëkohësisht dëmton akoma më shumë imazhin e vendit.

Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 5 vite burg Saimir Tahirin për shpërdorim detyre, dënim që për shkak të gjykimit të shkurtur u konvertua në 3.4 vite shërbim prove./ABC News Albania 24/7