Kryetari i opozitës, Lulzim Basha e cilësoi të pasinqertë ftesën e kryeministrit Edi Rama për pjesëmarrje në tryezën e reformës zgjedhore. Në një dalje për mediat, Basha e cilësoi provokim të rëndë firmosjen e shkresës nga Damian Gjiknuri dhe theksoi se në thelb të krizës politike nuk është Kodi Zgjedhor.
Lulzim Bashës iu deshën vetëm 20 minuta për t’i kthyer përgjigje ftesës publike të Edi Ramës për pjesëmarrje në tryezën e reformës zgjedhore. Duke e konsideruar të pasinqertë thirrjen e kreut të qeverisë, Basha ka kujtuar se në thelb kriza politike nuk ka zgjedhjet dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndërkohë që e cilësoi provokim ftesën e firmosur nga Damian Gjiknuri.
“Zgjidhja e krizës politike duhet të vijë vetëm përmes vullnetit politik. Nuk mund të fshihemi as pas letrave dhe fletërrufeve publike dhe as pas kërkesave të pasinqerta. Nuk mund të fshihemi as pas provokimeve të rënda siç është ai i ftesës nga një individ siç është Damian Gjiknuri, ndër të dyshuarit kryesor të dosjes 184”, tha Basha.
Duke shprehur gatishmërinë për t’u angazhuar në funksion të reformës zgjedhore, kryedemokrati kërkoi që mazhoranca të tregoi vullnet për zgjidhjen e krizës politike.
“Po, jemi të vendosur dhe reforma zgjedhore ka rëndësinë e saj, por zgjidhja politike kërkon vullnet politik. Letrat e hapura, provokime të tilla, tregojnë mungesën e vullnetit politik”, tha Basha.
Basha solli në kujtesë se demokratët nuk i thanë “JO” në qershor negocimit nga OSBE për krizën politike, ndërkohë që një apel për të reaguar e kishte për Prezencën e OSBE në Shqipëri.
Prezenca e OSBE në Tiranë iu drejtua me një ftesë partive politike për të qenë të mërkurën e 25 shtatorit në një tryezë të përbashkët për reformën zgjedhore./ABC News Albania 24/7