Kur shqiptarët mahnisnin Europën si mercenarë

schedule19:52 - 14 Shtator, 2019

schedule 19:52 - 14 Shtator, 2019

Është folur dhe flitet shumë për tendencën historike të shqiptarëve për të luftuar si mercenarë në vende të huaja kundrejt pagesës.

Por si qëndron e vërteta?

Për herë të parë një dokumentar i ciklit Abc/Story sjell sot në mbrëmje, ora 22:15, një hulumtim të plotë rreth këtij fenomeni.

Më së shumti shqiptarët dokumentohen nga historia masivisht si mercenarë në dy periudha kohore. Periudha e parë nis në shekujt 14 dhe 15 me ekspansionin otoman, kur fillimisht venedikasit, me qëllim për të mbrojtur kështjellat e tyre në Mesdhe, morën me shumicë luftëtarë shqiptarë kundrejt pagesës.

Rënia në duar të otomanëve e kështjellave, në territoret arbërore dhe greke, që mbroheshin nga shqiptarë, sjell për pasojë shtimin e numrit të shqiptarëve stradiotë, të cilët luftojnë si mercenarë, sidomos ata që emigruan bashkë me familjet në trojet italiane.

Në këtë periudhë Europa do të njihte zotësitë e stradiotëve shqiptarë, që ishin mercenarë të mirëfilltë, ushtarë me pagesë, që shkonin tek ai që paguante me mirë.

Të armatosur lehtë dhe duke kalëruar kuaj të vegjël, stradiotët shqiptarë do të bëheshin përcaktues në një numër betejash të rëndësishme mes fuqive të ndryshme të Europës.

Për pasojë, këto suksese detyruan strategët ushtarakë që të rikonceptonin rolin e kavalerisë së lehtë në udhëzuesit zyrtarë.

Një periudhë e dytë e mercenarizmit masiv përkon me lulëzimin e Pashallëqeve Shqiptare dhe zhvillimet e Revolucionit Grek për Pavarësi, filluar nga viti 1821.

Gjithsesi për këtë periudhë të dytë ka historianë që argumentojnë se nuk kemi të bëjmë me mercenarizëm të pastër të shqiptarëve, krerët e të cilëve nisën të mendonin mëvetësimin e vendit të tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!