MAL I ZI- Tre parti politike shqiptare në Mal të Zi kanë lënë pas ndarjet politike, duke u bashkuar në një subjekt të vetëm që synon të forcojë zërin dhe përfaqësimin e shqiptarëve në vend.
Vendimi u mor në Tuz, ku Alternativa Shqiptare, Unioni Nacional Shqiptar dhe Lidhja Demokratike Shqiptare shpallën krijimin e “Forumit Shqiptar”, një forcë e re politike që bashkon strukturat dhe vizionin e tre partive.
Kryetari i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, deklaroi se krijimi i Forumit Shqiptar përbën një investim për të ardhmen e shqiptarëve në Mal të Zi, si dhe për rrugën europiane të vendit. Ai nënvizoi se shqiptarët kanë nevojë për një adresë të vetme dhe të fuqishme politike, e cila të artikulojë kërkesat dhe interesat e tyre në institucionet shtetërore.
Edhe kryetari i Unionit Nacional Shqiptar, Ferhat Dinosha, si dhe kryetari i Lidhjes Demokratike Shqiptare, Ivan Ivanaj, e cilësuan bashkimin e tre partive si një moment të rëndësishëm për organizimin politik të shqiptarëve në Mal të Zi.
Sipas tyre, ky vendim dëshmon pjekuri politike dhe gatishmëri për të vendosur interesin e përgjithshëm mbi interesat partiake, me synimin për të forcuar përfaqësimin e shqiptarëve dhe për të ndërtuar një zë më të fuqishëm në institucionet e vendit.
Përfaqësuesit e tre partive theksuan se “Forumi Shqiptar” do të shërbejë si një platformë e përbashkët politike për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të komunitetit shqiptar, duke kontribuar njëkohësisht në proceset demokratike dhe integruese të Malit të Zi./abcnews.al


