Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë arrest në burg për Arjan Shahajn. 35-vjeçari vrau 3 ditë më parë me sëpatë të atin 77-vjeçar në një fshat të Memaliajt.
Arjan Shahaj, i akuzuar për vrasjen e babait të tij Iljaz Shahaj 3 ditë më parë do të qëndrojë në qeli. Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për 35-vjeçarin. Para togave të zeza, Arjan Shahaj e pranoi akuzën, duke mos shprehur asnjë shenjë pendese, për krimin e kryer.
I pandehuri ka rrëfyer para gjyqtares Irena Gjoka dhe prokurorit Besnik Muçi momentet e konfliktit dhe të vrasjes se babait të tij. 35-vjeçari tha se e qëlloi babanë sepse ai e ka ofenduar dhe dhunuar, pasi nuk iu bind për të mbledhur gjethe në pemë.
35-vjeçari Shahaj tha se pasi e kishte goditur të atin me sëpatë ishte larguar dhe vdekjen e tij e kishte mësuar kur ishte në polici.
Arjan Shaho rrëfeu në gjykatë se nuk është penduar për krimin sepse i ati e kishte merituar. Ai e akuzoi të atin edhe për ngacmim seksual përveçse dhunës sistematike gjatë viteve.
35-vjeçari Arjan Shahaj rezulton të jetë person me precedentë penal pasi ka kryer 7 vite burg për plagosjen e kushëririt. Ndërkohë në vitet 2003 dhe 2004 ka qenë i shtruar tek spitali psikiatrik në Tiranë ku është kuruar për sëmundje të shëndetit mendor.
Gjatë kontrollit të banesës së tij nga policia, janë gjetur disa ilaçe që i përdorte. Togat e zeza kanë urdhëruar ekspertimin e tij psikik, pas kërkesës së bërë edhe nga avokatja e të riut Eralda Brahimi. Në seancë nuk ndodhej asnjë familjar i të riut./ABC News Albania 24/7