Humbja turpëruese, 0 me 3, në “Emirates Stadium”, pasditen e së dielës që sapo lam pas ndaj Brighton, padyshim i dha “topçinjve” të Arsenal, goditjen e “knock-out”-it në garën për titullin kampion të Premier Leauge.
Sezon ky disi zhgënjyes për djemtë e Mikel Arteta, të cilët ishin për plot 243 ditë në krye të renditjes, mirëpo një formë jashtëzakonisht e keqe e treguar në pjesën e fundit të sezonit i kushtoi shumë “topçinjve” të cilët hodhën poshtë gjithçka.
Pas disfatës ndaj “pulëbardhave”, tashmë lojtarët duket se janë dorëzuar, me kapitenin Odegaard, që pas ndeshjes tha se në dhomat e zhveshjes së Arsenal nuk ka një atmosferë pozitive ndërsa shtoi se është e vështirë që shokët e tij ta pranojnë realitetin.
“Duket që Premier League tashmë na ka ikur nga duart. Sinqerisht është e vështirë për t’u pranuar një situatë e tillë. Nuk ka një atmosferë të mirë edhe në dhomat e zhveshjes, por kjo është normale në një situatë të tillë. Nuk e di çfarë ndodhi, por jemi shumë të zhgënjyer dhe duket se nuk kemi më asnjë shpresë”,- u shpreh Odegaard. /i.m /abcnews.al