Kukësi bindi trajnerin e tij Shpëtim Duro, duke mundur Partizanin në startin e Superligës. Trajneri i kryeqytetasve, Franko Lerda, pranoi gabimet e ekipit të tij.
Superkupa iku e shkoi dhe hareja duhej të kishte zgjatur diçka më pak tek fituesit.
Partizani doli për herë të dytë në pak ditë në fushën e “Elbasan Arenës”, duke pasur përballë sërish Kukësin, tashmë në ndeshjen e parë të kampionatit, dhe kuptoi se nuk do ta ketë të lehtë për të mbrojtur titullin.
U mund nga nënkampionët dhe nga ata që shihen si rivalët kryesorë të kampionëve (të shohim si do të jetë Tirana), të cilët bënë gjoja sikur luajtën në fushën e tyre, për t’u gjendur përsëri në Elbasan.
Kur një ekip mund kundërshtarin kryesor duke luajtur në fushë asnjanëse, kjo është shenjë se ai e ka seriozisht me pretendimet për trofeun.
Kjo duhet thënë për kuksianët, që u drejtuan nga Shpëtim Duro, partizanas 24-karatësh, por që profesioni “me valixhe” në dorë, e ka bërë që të falë besnikërinë aty ku punon.
Ndryshe nga Superkupa, Kukësi e nisi ndeshjen mirë, duke përballuar Partizanin në fushë të hapur e duke e mbyllur në avantazh pjesën e parë.
E pati më të vështirë pas pushimit, duke u ndërruar rolet në krahasim me finalen, por ia doli ndihmuar edhe nga shtylla.
Vendosi goli i Shkurtajt, ndërsa të kuqtë e patën në tribunë një nga lojtarët kryesorë, Jasir Asanin, që duket se do të transferohet jashtë vendit.
Trajneri i kryeqytetasve, Franko Lerda, pranoi gabimet e ekipit të tij.
Për Duron, Kukësi ka nevojë ende për përforcime, por presidenti Gjici mendon se ekipi i ka të gjitha për të dalë kampion, edhe pse nuk luan ende në fushën e tij. /ABC News Albania 24/7