Në katër komunat e Veriut të Kosovës ku sot mbahen zgjedhjet e parakoheshme lokale, Mitrovice e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, janë hapur të 19 qendrat e votimit dhe në orën 7.00 të mëngjesit ka nisur procesi. Gjatë orëve të para të ditës është vënë re një pjesmarrje shumë e vogël në votime.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur nëpër rrugët kryesore në veri 13 kontenierë që do të shërbejnë si qendra votimi. Ndërsa 6 qendra te tjera votimi janë vendosur ne mjedise shkollash ne fshatra me shumice popullsie shqiptare.
Policia e Kosovës tha se ka marrë të gjitha masat për një mjedis të sigurt gjatë procesit zgjedhor. Po ashtu 8 prokurorë janë dërguar në terren, per te evidentuar parregullsitë dhe incidentet e mundshme.
Në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantoviç, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit. Pasi votoi ne mëngjes, ajo deklaroi se pret ndryshime në këto zgjedhje. Pantoviç ka falënderuar të gjithë ata që dalin për të shfrytëzuar të drejtën e votës.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk merr pjesë në zgjedhje dhe u ka bëre thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin. Thirrje të ngjashme bën dhe autoritetet ne Beograd qe thane se këto zgjedhje nuk janë legjitime.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, ka kritikuar ashpër vendet kryesore perëndimore për mbështetjen e zgjedhjeve të së dielës, duke theksuar se qëllimi i tyre është pamundësimi i themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Autoritetet në Kosovë ndërkaq u kanë bërë thirrje qytetarëve serbe që të marrin pjesë në zgjedhje të cilat sipas tyre janë të rëndësishme për konsolidimin e demokracisë dhe funksionimin e institucioneve në veriun e vendit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një mesazhi u bëri thirrje serbëve në veri që të marrin pjesë në zgjedhjet e sotme, pavarësisht, siç tha, kërcënimeve dhe frikësimeve nga strukturat kriminale të mbështetura nga Beogradi.
Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur te zgjedhurit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje, ne shenje proteste ndaj vendimit te Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe./abcnews.al


