SHBA toleron më tej “Huawei”

schedule19:54 - 19 Gusht, 2019

schedule 19:54 - 19 Gusht, 2019

Për të shmangur thellimin e luftës tregtare me Kinën, Shtetet e Bashkuara i dhanë kompanisë kineze të teknologjisë “Huawei” edhe 3 muaj kohë për të përgatitur largimin nga tregu amerikan. Ndërkohë, Uashingtoni paralajmëroi futjen në listën e zezë të 45 kompanive që bashkëpunojnë me “Huawei”.

Administrata amerikane ka shtyrë me 90 ditë të tjera hyrjen në fuqi të masave që ndalojnë tregtimin e gjigandit kinez të teknologjisë Huawei. Shtetet e Bashkuara e futi kompaninë në listën e zezë në muajin maj për arsye që lidheshin me sigurinë kombëtare.

Më pas grupit aziatik iu dha një leje e përkohshme në mënyrë që të zbutej tranzicioni, leje që skadonte këtë të hënë. Por pavarësisht shtyrjes, sekretari amerikan i Tregtisë, Uillbur Ros deklaroi se 46 kompani kontraktore të Huawei do të futen në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara.

Zgjatja e afatit u projektua për t’u lejuar kompanive si Google të vijonin bashkëpunimin me Huawei, teksa palët bëhen gati për t’u përballur me kufizimet. Të dielën presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Huawei është një kompani me të cilën Shtetet e Bashkuara mund të mos bëjnë më kurrë biznes, deklaratë që disa e interpretuan si sinjalizim se afati nuk do të zgjatej.

Huawei ka qenë nën mbikëqyrje të rreptë ndërkombëtare në muajt e fundit për shkak të dyshimeve për lidhje të afërta me qeverinë kineze. Shtetet e Bashkuara, përveç se e futën atë në listën e zezë, u ndaluan kompanive amerikane të bashkëpunonin me të pa lejen e qeverisë. Nga ana e tij gjigandi aziatik i teknologjisë deklaron se është i pavarur nga qeveria kineze dhe ka mohuar akuzat për kërcënim për sigurinë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!