14 maji/ Begaj thirrje partive politike për fushatën: Jepni mundësi zgjedhjeje dhe jo kërcënime

schedule11:23 - 13 Prill, 2023

schedule 11:23 - 13 Prill, 2023

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj pati një thirrje për partitë elektorale, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Gjatë një deklarate nga Presidenca, Begaj u shpreh se partitë politike duhet të angazhohen në garë me ide për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe jo të japin armiqësi e kërcënime.

Sipas Begajt, zhvillimi i procesit zgjedhor të 14 majit do të jetë shumë i rëndësishëm për perspektivën evropiane të Shqipërisë.

“Gjej rastin këtu t’i bëj thirrje të gjitha subjekteve të përfshira në fushatën elektorale, që të mos e konsiderojnë konkurrimin si mundësi të denigrimit të njëri-tjetrit, por të angazhohen në garë me idetë më inovative për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për zhvillimin social-ekonomike të tyre, duke ruajtur kulturën, traditat, si dhe duke mbrojtur mjedisin e secilit prej njësive vendore të vendit tonë. Etika e garës dhe e komunikimit duhet të rrezatojë qytetari, mirësjellje dhe respekt, jo negativitet, armiqësi apo agresivitet. Argumente dhe jo sharje, mundësi zgjedhjeje dhe jo kërcënime, respekt të ndërsjellë dhe jo armiqësi ndaj njëri tjetrit. Kjo është fryma me të cilën duhet të zhvillohet një debat i natyrshëm publik, përpara një procesi zgjedhor”, theksoi ai/abcnews.al