Sadetin Erkoçeviq u ndalua të martën nga policia e Tiranës pasi dyshohej se do të kryente një krim të rëndë në kryeqytet. 28-vjeçari nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare.
Ai ishte shpallur në kërkim nga autoritetet pasi ishte dënuar me 20 vjet burg për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake”. Më datë 10 Maj të 2014-s, Erkoçeviq ka vrarë me armë zjarri në një lokal me muzikë live shtetasin I.Y. dhe ka plagosur një tjetër.
Sipas deklaratës së policisë këtë të mërkurë, Erkoçeviq u kap në rrugën “Bilal Xhaferi” pas raportimeve nga qytetarët se ndodhej një person i cili bënte lëvizje të dyshimta dhe dyshohej se kishte armë zjarri me vete.
Në momentin e ndalimit, të riut i gjetën në çantën e dorës një armë zjarri pistolete e tipit Bereta, me 14 fishekë dhe një fishek në fole gati për qitje./abcnews.al