Qytetarët u shprehën të mllefosur pas pajtueshmërisë së Kosovës dhe Serbisë në orët e vona të së shtunës mbi aneksin e zbatimit të planit evropian. Sipas tyre mosgatishmëria e Serbisë për të nënshkruar nuk është shenjë e mirë.
Qytetarët deklaruan se Serbisë nuk i besohet në atë që thotë dhe potencuan se gjasat për ta vënë Kosovën në pozicion jo të mirë janë të mëdha.
Ata adresuan kritika edhe për politikanët. Sipas tyre, nuk kanë mjaftueshëm përvojë në këtë drejtim, pasi siç theksuan, nuk është dashur të pajtohen mbi aneksin e zbatimit të planit evropian pa pasur nënshkrim nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Qytetari Ajvaz Rama deklaroi për KosovaPress se Serbia nuk do t’i përmbahet planit të BE-së. Ai akuzoi udhëheqësit e shtetit për zgjatjen e këtij procesi.
Edhe qytetari Hajrulla Gashi u shpreh pesimist në raport me zbatimin e planit të BE-së nga ana serbe. Ai tha se Serbia nuk do ta nënshkruajë kurrë atë. Qytetari Janujz Dautaj tha se marrëveshja e lidhur me gojë duhet të nënshkruhet, përndryshe nuk ka efekt.
“Marrëveshja e lidhur me gojë duhet të nënshkruhet, përndryshe nuk ka efekt. Sepse, mund të mohojnë çfarë kanë thënë…06:00 Nuk i kam pa çfarë përmban (asociacioni i komunave me shumicë serbe), cilat janë kompetencat, shembull arsimi, shëndetësia e të tjera, dhe a parasheh pushtet ekzekutiv, sepse kjo është katastrofë, vaj halli për neve”, tha Dautaj.
Ndërsa, qytetari Rexhep Miftari u shpreh se Serbia gjithmonë do t’i ikë atij nënshkrimi. Sipas tij, Serbia do vetëm përfitim nga Kosova.
Kujtojmë që, Kosova dhe Serbia të shtunën në mbrëmje janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërsh nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë.