Tërmeti u mori jetën disa punonjësve të medias në Turqi

schedule15:02 - 20 Shkurt, 2023

schedule 15:02 - 20 Shkurt, 2023

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve në Adıyaman, Zeki Dişkaya, tha se 11 punonjës të shtypit që punonin në qytet humbën jetën në tërmetet që goditën Turqinë jugore dhe shumë kolegë të tyre u larguan nga qyteti.

Anëtarët e shtypit Burak Alkuş, Hidayet Özdemir, İskender Korkut, Kemal Öner, Muhammed Akan, Ruhi Akan, Yunus Emre Doğan, Barış Can Tabakçı, Zübeyr Pektaş, İsmail Hakkı Koçak dhe Fatih Bayın, të cilët punonin në qytet, humbën jetën nën rrënoja.

Dişkaya për Anadolu u shpreh se tërmetet me epiqendër në Kahramanmaraş, të cilësuara si “katastrofa e shekullit”, pothuajse e shkatërruan qytetin.

“Ne varrosëm miqtë tanë, pjesa tjetër e anëtarëve tanë të medias lokale të gjithë po përpiqen të strehohen tek një i afërm ose të mbrojnë fëmijët dhe familjen e tyre”, tha ai.

Duke thënë se po përpiqen të shërojnë plagët e tërmetit, Dişkaya tha: “Ne tash po vijmë në vete. Shpresoj se do të sigurojmë një lokacion, ta bashkojmë median tonë lokale dhe të bëjmë përpjekje për ta kryer punën tonë”.

“Zëri i shtypit vendas u shua në Adıyaman, shtypi lokal heshti. Fatkeqësisht, Adıyamani heshti gjithashtu kur shtypi lokal u shua. Të gjithë miqtë tanë që humbëm lanë kujtimet e tyre. Ne ende nuk jemi në vete. Zoti mos i dhëntë askujt dhimbje të tilla”, theksoi Dişkaya.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!