Njësoj si një vit më parë, dhjetëra diplomatë të delegacioneve ndërkombëtare braktisën mbrëmjen e kësaj të enjteje sallën ku po mbahet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në shenjë proteste, sapo aty hyri kryeministri izraelit.
Në një fjalim të nisur mes tensionesh, ku akuzoi ata që po largoheshin si turmë të frikacakëve moralë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbrojti me forcë veprimet e ndërmarra nga vendi i tij, përfshirë edhe konfliktet në disa fronte kundër milicive të mbështetura nga Irani në Gaza, Liban, Jemen dhe më gjerë.
I akuzuar për vrasjen e mijëra civilëve të pafajshëm në Gaza, kryeministri izraelit përdori fjalimin e tij për të goditur kundërshtarët, duke thënë se mediat ndërkombëtare po përpiqen të shpërndajnë ato që, sipas tij, janë gënjeshtra për vendin e tij.
“Për tri vite, ushtarët tanë të guximshëm kanë luftuar me trimëri në një luftë në shtatë fronte. Por kjo luftë ka sjellë ofendime mbi ne. Është lufta për të vërtetën. Ajo zhvillohet në mediat botërore dhe, më me pretendime, në mediat sociale. Disa vende të huaja kanë shpenzuar miliarda të panumërta për të përhapur gënjeshtra për vendin tim”, tha Netanyahu.
Netanyahu, i cili përveç presionit ndërkombëtar ndodhet edhe përballë presionit të zgjedhjeve në vendin e tij, e shfrytëzoi fjalimin e tij në OKB edhe si një fjalim elektoral në skenën ndërkombëtare, ku rrëfeu se për luftën kundër terrorizmit ishte frymëzuar nga humbja e vëllait të tij, një oficeri izraelit që humbi jetën gjatë krizës së pengjeve në Ugandë.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit të Netanyahut iu kushtua kryebashkiakut të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cili e ka akuzuar Netanyahun për krime lufte dhe, këtë javë, e ka përshkruar atë si “arkitektin e një gjenocidi të tmerrshëm ndaj palestinezëve”.
Netanyahu iu përgjigj duke thënë se Izraeli nuk ka kryer gjenocid, por, sipas tij, “ka parandaluar gjenocidin”.
Ai akuzoi gjithashtu disa liderë të vendeve të Evropës Perëndimore se po i nënshtrohen asaj që e cilësoi si “turma antisemitike”, ndërsa kritikoi edhe Katarin dhe Turqinë, duke i akuzuar për përhapjen e asaj që ai i quajti gënjeshtra për Izraelin. Në fjalimin e tij, Netanyahu e lavdëroi presidentin amerikan Donald Trump, duke e cilësuar SHBA-në si partnerin më të rëndësishëm të Izraelit.
Kryeministri izraelit tha përgjatë fjalës së tij se lufta e nisur nga SHBA-ja dhe Izraeli ndaj Iranit kishte qenë një ndër vendimet më të thjeshta që kishte marrë, ndërsa pretendoi se shumë shpejt populli iranian do të jetojë në liri.
Përgjatë fjalimit të Netanyahut, qindra protestues u mblodhën pranë selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Dhjetëra prej tyre bllokuan trafikun dhe brohoritën slogane kundër mbështetjes ushtarake për Izraelin dhe në mbështetje të popullsisë së Gazës.
/abcnews.al/


