Mijëra qytetarë u mblodhën edhe mbrëmjen e të enjtes për të protestuar nën moton “Jo në emrin tim”, në ditën e nëntë të tubimit kundër dënimit të Gjykatës Speciale me 81 vjet burgim ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protesta e kësaj të enjteje nisi me një minutë heshtje në nderim të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë nga një sulm terrorist më 24 shtator 2023 në Banjskë.
Të pranishëm në protestë ishin edhe familjarë të ish-krerëve të dënuar nga Dhomat Speciale të Gjykatës së Hagës, djemtë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, e përqendroi fjalimin te përgjegjësia e institucioneve të Kosovës për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve. Ai kritikoi Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se në rendin e ditës së mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit nuk ishte përfshirë çështja për të cilën qytetarët po protestojnë prej nëntë ditësh.
Haziri kërkoi që institucionet të mos mjaftohen me deklarata në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, por të ndërmarrin hapa konkretë. Ai paralajmëroi gjithashtu se, nëse nuk do të ketë përgjigje institucionale, protestuesit do t’i vijojnë kërkesat përmes mjeteve demokratike dhe ligjore.
Gjatë fjalimit u përmend edhe gjashtëvjetori i arrestimit dhe transferimit në Hagë të Salih Mustafës, ndërsa protestuesit përsëritën qëndrimin e tyre se vendimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është i padrejtë.
Në përfundim, protesta u mbyll me thirrje në nderim të dëshmorëve dhe UÇK-së, ndërsa organizatorët përsëritën mesazhin se do të vijojnë reagimin qytetar deri në marrjen e një përgjigjeje nga institucionet e Kosovës.
Organizatorët kanë bërë thirrje që deri më 1 tetor, kur pritet të mbahet marshi i madh i paralajmëruar nga platforma “Liria ka Emër”, protestuesit të mblidhen çdo natë në zemër të Prishtinës për të shprehur indinjatën lidhur me dënimin e katër figurave kryesore të historisë së luftës së Kosovës.

