Kryeministri kanadez Mark Carney ka shqyrtuar mundësinë, ndonëse shumë të largët, të një ndërhyrjeje ushtarake të SHBA-së kundër Kanadasë, sipas një interviste të dhënë prej tij për gazetën “The New York Times”.
Carney i tha gazetës se qeveria e tij ka shqyrtuar me kujdes skenarin e “rrezikut ekstrem”, ku SHBA-ja ndërmerr veprime ushtarake kundër vendit të tij, dhe se është përgatitur për një mundësi të tillë, pa dhënë detaje të mëtejshme.
“Unë mendoj se në këto role ke përgjegjësinë të shqyrtosh edhe rreziqet më ekstreme”, tha Carney për “The New York Times”. “Kjo është thjesht menaxhim i rrezikut. Ky nuk është skenari bazë, por do të ishte e papërgjegjshme të mos përgatiteshim.”
Tensionet mes dy vendeve fqinje janë përshkallëzuar gjatë presidencës së Donald Trump.
Çdo konflikt do të ishte me shumë gjasa tejet i pabarabartë. Ushtria amerikane ka më shumë se 2 milionë trupa aktive dhe rezervistë, ndërsa Kanadaja ka më pak se 200 mijë, sipas qeverive të të dyja vendeve. Po ashtu, në vitin 2024, SHBA-ja kishte 65 nëndetëse ushtarake, krahasuar me vetëm katër të tilla të Kanadasë.
Megjithatë, Kanadaja ka vijën bregdetare më të gjatë në botë dhe ndodhet pranë Arktikut. Këto dy rrethana e kanë shtyrë Carney-n të rrisë shpenzimet për mbrojtjen që prej marrjes së detyrës. Ndërkohë, Trump ka folur shpesh për Kanadanë si “shteti i 51-të”. Ai gjithashtu nisi një luftë tregtare me Kanadanë, e cila u përshkallëzua muajin e kaluar, kur të dyja vendet nisën të vendosnin tarifa reciproke ndaj një sërë produktesh.
Në intervistën e tij për “The New York Times”, ai tha se vazhdon të flasë “shpesh” me Trump-in. “Nga këndvështrimi im, kemi një marrëdhënie të mirë, në kuptimin që mund të marrim telefonin dhe të flasim me njëri-tjetrin për çështje të ndryshme”, tha ai.
“Ai është i drejtpërdrejtë. Edhe unë jam i drejtpërdrejtë për sa i përket qëndrimeve tona. Në këtë mënyrë është shumë më efikase. Pra, kjo marrëdhënie ekziston dhe do të vazhdojë të ekzistojë.”

