TIRANË – Opozita zhvilloi për rreth 2 orë e 30 minuta protestën kundër qeverisë. Si në cdo miting, Sali Berisha dhe Ilir Meta dolën nga selitë e tyre dhe iu drejtuan bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
I pari prej tyre foli kreu i partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili akuzoi qeverinë Rama për korrupsion dhe po përdoret pushteti për të kapur shtetin. Më i gjatë ishte fjalimi i Berishës, i cili u fokusua tërësisht te kryeministri Rama. Kërkoi disa herë që ai të japë dorëheqjen pasi e akuzon për korrupsion.
Berisha shpalli fillimin e revolucionit dhe nisi nje ecje ne ate qe njihet si unaza e vogel e Tiranes. Në përfundim të fjalës së Berishës, disa protestues hodhën flakadanë në shkallët e kryeministrisë. Më pas Berisha dhe mbështetësit e tij, marshuan në këmbë drejt Parlamentit për tu ndalur të bunkeri simbolik para ministrisë së brendshme, por këtë herë pa Ilir Metën.
Nga aty paralajmëroi se protesta do të vijojë të hënën para parlamentit. Më pas u zhvendos në bashkinë e Tiranës, duke i bere nje vizite te paftuar kryebashkiakut Erion Veliaj dhe folur per inceneratorin e Tiranes. Revolucioni demokratik sipas Berishes vazhdon të hënën para parlamentit.
Ora 14:22 Berisha ‘vizitë’ Erion Veliaj
Marshimin nëpër Tiranë, Sali Berisha e ndali te bashkia e Tiranës. Ndërsa hodhi akuza drejt kryebashkiakut, Berisha tha se edhe ai do e marrë përgjigjen nga revolucioni. “Revolucioni do flasë me të” tha Berisha.
Ora 14:18 Pas parlamentit, marshimi ndalet te ministria e Brenshme, Berisha me flamuj mbi bunker
Nuk ka zgjatur as dy orë protesta kombëtare e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Pasi mbylli fjalimin në podium Berisha iu drejtua parlamentit, e më pas ministrisë së Brendshme, ku u pa të ngjithet në bukerin e vendosur para saj.

Ora 14:00 – Mbyllet protesta nis marshimi drejt Parlamentit, hidhen flakadanë e molotov drejt Kryeministrisë
Nuk ka zgjatur as dy orë protesta kombëtare e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.Berisha në fundin e fjalimit të tij paralajmëroi protestë tjetër të hënën, ndërsa në atë moment drejt godinës së kryeministrisë vërshuan flakadanë nga protestuesit.Pas hedhjes se tyre, në godinën e kryeministrisë janë ofruar forca shtesë për të shmangur çdo lloj përshkallëzimi, sado i vogël që mund të jetë. Ish-kryeministri tha gjatë fjalës së tij tha se tanimë ka nisur revolucioni demokratik, por pjesëmarrja në shesh, nuk ishte optimiste.
Ora 13:30 Protesta/ Berisha: Nisim sot revolucionin demokratik
Nga Bulevardi Dëshmorët e Kombit, ndërsa mori fjalën në protestë, Sali Berisha tha se nga nis revolucionin demokratik. “Të nderuar të pranishëm në këtë cunam popullor të revolucionit demokratik. Shqiptarë dhe shqiptare, kudo që jeni, që keni pritur me padurim këtë ditë, ditën e madhe të siparit të revolucionit demokratik, të përmbysjes së monizmit të dytë në Shqipëri. Një përshëndetje vëllazërore kudo që ndodheni!
Miqtë e mi, do e nis fjalën time me një shprehje të të famshmit, Xhorxh Oruell, i cili shkruan se është akt revolucionar të thuash të vërtetën në kohë gënjeshtre.
Ndaj dhe sot, ditën e siparit të revolucionit tonë demokratik, për përmbysjen e monizmit dhe fitores së demokracisë, do themi të vërtetat tona. Qëllimi më themelor i këtij revolucioni që nis sot është të mbrojmë të vërtetat, por edhe të bëjmë çdo sakrificë që ato të triumfojnë. Rroftë fitorja!” u shpreh Berisha.
Ora 13:20 – Protesta/ Meta: Rama në 10 vite përdori pushtetin për të kapur shtetin
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, gjatë fjalës së tij në protestën e opozitës që po mbahet para kryeministrisë, është shprehur se Rama e ka përdorur pushtetin për të kapur shtetin.
Po ashtu ai renditi disa faktorë të tjerë për të cilat sipas tij qytetarët kanë dalë në shesh. “Struci i Rilindjes, që është fshehur si një frikacak i pashoq. Edi Rama në 10 vite e përdori pushtetin për të kapur shtetit. Ai është i gatshëm të kënaqë këdo mafioz të brendshëm apo ndërkombëtar për të shtyrë disa ditë në pushtet. Rama do të japë llogari për të gjitha shkeljet e kushtetutës, shkatërrimin e Kuvendit dhe bllokimin e iniciativave të opozitës, që nga ulja e çmimit të naftës te indeksimi i pagave çdo vit etj. Ai tmerr ka të vërtetat e hidhura të korrupsionit të tij që nuk i mbulon më askush. Nga dëbimet e deputetëve të opozitës. I është kundërvënë haptas shtetit ligjor.” u shpreh Meta.
Ora 13:02 Opozita në shesh për largimin e Ramës, ja pamjet e para nga lart të Bulevardit
Revolucioni i qytetarëve i premtuar nga Sali Berisha në bulevard duket se nuk dha rezultate. Në protestën e organizuar nga opozita pjesëmarrja ka qenë modeste. Siç mund të vërehet nga planet e siguruara nëpërmjet dronit në shesh kishte një numër të ulët të protestuesve, shumë larg pritshmërive të Sali Berishës. Pamjet nga kamerat e ABC News dhe ato me dron treguan vetem disa mijera njerez qe ju bashkuan protestes. Para nisjes së protestës opozita kishte paralajmëruar se do të mblidhnin mbi 100 mijë njerëz për të rrëzuar qeverinë Rama.
ABC News sjell pamje nga lart Bulevardit.
Ora 12:56 Bumci: Edi Rama largohu. Nëse nuk largohesh, zemërimi nuk do të gjejë qetësi.
Anëtari i kryesisë së PD, Aldo Bumci e ka nisur fjalën e tij në protestë duke kërkuar një minutë heshtje, për viktimat e tërmetit tragjik në Turqi e Siri. “Edi Rama e zhyti Shqipërinë në mjerim, në pasiguri, në dëshpërim. Vendim me papunësinë më të madhe rinore, me pensionet më të ulëta, ka taksat më të larta, çmimin më të lartë në Europë të naftës, të energjisë elektrike. Edi Rama në 10 vite i detyroi shqiptarët të emigrojnë më shumë se sirianët, 13 herë më shumë se një serb, 4 herë më shumë se një shqiptar i Kosovës. Çfarë ka ndodhur në Shqipëri që të largohemi si sirianë. Ka qeverisur Edi Rama. Ky vend ka nevojë për shpresë dhe sot secili nga ju që ka dalë në këtë shesh është shpresë për dhjetëra mijëra të tjerë që e shikojnë.
Sot është një ditë e mirë, shpresa fillon sot në këtë shesh falë jush, qytetarëve të lirë, njerëzve të vërtetë që nuk u shitët, që nuk pranuar lavazhin e trurit, të medieve të kapura, të ndërkombëtarëve të korruptuar.” U shpreh Bumci
Ora 12:50 Alimehmeti: Sot në shesh përballë kancerit të korrupsionit
Kandidati në garën e primareve për Bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehmeti tha në protestën e opozitës se shqiptarët kanë vendosur të sfidojnë të ftohtin duke dalë në shesh, përballë një kanceri korrupsioni.
“Shikoni sa shumë jemi, por janë shumë më shumë ata që i kanë shpresat te ne. Pse jemi ne këtu? Pse vendosëm ne të sfidojmë muajin më të ftohtë të vitit? Se nuk ka vend më të ftohtë se zemra e qeveritarëve. Jemi vënë përballë një kanceri korrupsioni, ka shkuar edhe në nivel ndërkombëtar. Jemi vënë përballë një humbje, një pagjumësie nga sistemi gjyqësor.
Ndaj gjithë këtyre sëmundjeve kemi dy mundësi: të qëndrojmë dhe të përballemi, kemi edhe mundësinë të largohemi. Ne kemi vendosur ta marrim vetë fatij e Shqipërisë në dorë.”, tha Alimehmeti.
Ora 12:36 Këlliçi: Shqipëria sot e derdhur në shesh. Maxhoranca kërkon të kthejë 14 majin në ditë e zakonshme dhe jo ditë shprese
Pas himnit kombëtar, protesta u cel nga kandidati i Rithemelimit për bashkinë e Tiranës, Belind Këllici. “Shqipëria është e derdhur sot në shesh. Tirana sot është më e gjallë me ardhjen tuaj. Kemi miq nga e gjithë Shqipëria.
Tirana na ka mbledhur të gjithëve, këtu është strumbullari nga kjo godinë këtu, me para që iu vodhën shqiptarëve. I jepen agjentëve të huaj, që 14 maji të jetë një ditë e zakonshme dhe jo ditë shprese. Paguajnë se kanë frikë nga 14 maji. Marrëveshjet që bëjnë janë të paligjshme. Ku është kryeministri, kush e ka parë.” – u shpreh Këllici.
Ora 12:34 – Në shesh apo në çadër? Meta: Ky është një fillim pa kthim, apeli për policinë
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dalë nga selia e tij pak minuta pasi Sali Berisha doli nga “selia blu”. Të ndarë të dy janë nisur drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku edhe janë grumbulluar qytetarët. Kreu i PL, në një prononcim të shkurtër për mediat, tha se ky është një fillim pa kthim dhe se ndryshimi do të ndodhë me çdo çmim.
Ora 12:23 – Berisha lë selinë e PD, do bashkohet me Metën në shesh
Të ndarë secili nga selitë përkatëse që drejtojnë, por të koordinuar në orar Sali Berisha dhe Ilir Meta iu drejtuan bulevardit Dëshmorët e Kombit, ku kanë thirrur shqiptarët në protestë.
Opozita e drejtuar nga ish-kryeministri, Sali Berisha, po mban sot një protestë kombëtare. E taksa pritet që kreu i “Rithemelimit” te dalë nga “selia blu”, disa deputetë të grupit të Alibeajt kanë konfirmuar mospjesëmarrjen. Kjo ka ardhur pasi Berisha vendosi të përjashtoi nga kjo protestë, Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn.
Për disa deputetë me peshë të grupit të Alibeajt, kjo është diçka e papranueshme, pasi protesta është e gjithë demokratëve dhe asnjë prej tyre nuk duhet të përjashtohet.
Ora 10:35 – ‘Shmangni tubimin’/ Ambasada amerikane paralajmëron shtetasit e saj në Tiranë
Ashtu si në cdo protestë e tubim në Tiranë, edhe sot ambasada amerikane paralajmëron shtetasit e saj për kujdes. Në një njoftimin e saj në faqen zyrtare ambasada amerikanë në Tiranë, apelon shtetasit e saj të shmangin tubimin.
Ora 10:20 – Berisha mbërrin në selinë e PD
Ish kryeministri Berisha ka mbërritur në selinë e PD, rreth orës 10:15 minuta. Ai është pritur nga simpatizantët në oborrin e selisë, ndërsa nuk ka ndaluar Berisha ngjiti shkallët dhe hyri në selinë, për të dhënë mesa duket direktivat e fundit për protestën e cila mbahet në 12:00 në sheshin përpara kryeministrisë.

Ora 10:00 Policia rrethon kryeministrinë
Dy orë nga protesta e paralajmëruar e opozitës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, forca të shumta policie kanë rrethuar godinën qeveritare në kuadër të planit të masave për mbarëvajtjen e saj.
Po ashtu, hyrja e godinës është veshur me veshje metalike.
Sakaq, policia e Tiranës ka përcaktuar planin e masave për protestën e thirrur sot nga opozita, në orën 12:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Rreth 1 mijë efektivë policie, forca të rendit, FNSH-së dhe RENEA do të jenë të angazhuar në terren për mbarëvajtjen e tubimit.
Policia njofton se duke filluar nga ora 06:00 e së shtunës, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, në rrugët që lidhen me bulevardin Dëshmorët e Kombitt, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Në këto rrugë, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve, nga ora 10:00 e deri në përfundim të tubimit. Si në protestat e tjera, edhe këtë herë do të krijohet kordoni me efektivë policie para godinës së Kryeministrisë dhe rreth saj. Në terren do të ketë edhe agjentë civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e tubimit.
Përgjatë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ të instaluara janë edhe kamera me rezolucion të lartë, ndërsa shtyllat ku ato janë vendosur, lyhen me graso për të mos lejuar protestuesit të heqin kamerat.
Pak ditë më parë, përmes një shkrese dërguar Policisë së Tiranës, selia blu vuri në djeni forcat e rendit për protestën e organizuar prej tyre. Ajo që bie në sy, në shkresën e firmosur nga sekretari organizativ, i grupit Berisha, Ervin Minarolli, specifikohej vetëm ora e nisjes dhe jo përfundimi i tubimit. Për këtë arsye, policia ia ktheu sërish pas letrën organizatorëve, për plotësim të saj, si me vendosjen e orarit të nisjes dhe përfundimit të tubimit.

