TIRANË – Në konferencën për mediat, kreu i KQZ Ilirjan Celibashi, paralajmëroi se partia kryesore e opozitës mund të mos regjistrohet në zgjedhje.
“Kërkesa si për rastin e komisionerëve ashtu edhe për regjistrimin e subjekteve zgjedhore do të vlerësohet në përputhje me ligjin. Ne nuk vendosim kush e udhëheq PD-në, apo kush do ta udhëheqë. Për ne ka një PD, është një person juridik. Ngelet për t’u parë se kush e ka tagrin për të vepruar në emër të PD. Do ishte mirë që kjo çështje të ishte zgjidhur. Flitet për një parti kryesore të opozitës dhe unë mendoj se sa nuk është vonë gjithkush që në një mënyrë apo një tjetër që mund të kontribuojë në zgjidhjen e kësaj situate.
Do të duhet të angazhoheni për të gjetur një zgjidhje, s’mund të bëjmë sikur s’po ndodh asgjë, pasi partia kryesore e opozitës mund të mos regjistrohet. Gjithsesi, do të duhet që secili prej faktorëve institucionalë dhe politik të angazhohet për këtë proces, nuk mund ta injorojmë, të shohim çfarë vendos KQZ dhe të veprojmë.” -u shpreh ndër të tjera Celibashi.
Sakaq lidhur me vendimmarrjen e KQZ nëse gjykata do të shprehej me vendim para datës 7 mars, Celibashi tha së nuk mund të përgjigjet në këtë moment me ‘nëse’.
“S’ta them dot këtë. Pyetjes me ‘nëse’ nuk i kthej dot përgjigje. Janë disa afate brenda të cilave mund të bësh ndryshime. Por përtej këtyre afateve s’mund të bësh ndryshime. Nëse një vendim i tillë merret pas datës 7 mars, atëherë dikush ka probleme me sjelljen institucionale.” vijoi Celibashi./abcnews.al