Në një prononcim për mediat, kreu i Partisë Demoraktike Lulzim Basha tha se në takimin me presidentin mëngjesin e sotëm ka biseduar për datën 13 Tetor, që është dekretuar nga Presidenti si data e re për zgjedhjet lokale.
Basha tha se opozita është në këtë betejë për interesin e njerëzve.
“Padyshim që lidhet me 13 Tetorit. Kreu i shtetit mendon se 13 Tetori është mundësi për të dalë nga kriza politike përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, zgjedhjeve lokale dhe siç është shprehur politikisht edhe nëpërmjet zgjedhjeve të reja presidenciale që nënkupton ndryshime kushtetuese. Duke vlerësuar maksimalisht qëndrimin e presidentit dhe shqetësimin e tij i kam bërë të qarë se PD dhe opozita janë në këtë betejë për interesin e njerëzve që zgjedhjet e ardhshme ndryshe nga farsa e 30 Qershorit, siç e deklaroi OSBE/ODIHR duhet të jenë për njerëzit dhe aq më pak për Ymer Lalën dhe për bosin e tyre, bablokun e madh dhe se në këtë funksion opozita është e gatshme të ndërmarrë çdo hap tpër t’u garantuar shqiptarëve të drejtën e votës që është dhunuar dhe tjetërsuar përtej çdo përfytyrimi”, tha Basha.
Pas takimit me presidentin, Basha u kthye në selinë blu ku u takua me aleatët opozitarë. Ai tha se kishte diskutuar me ta për hapat e tjerë që lidhen me aksionin politik që do të vijojë opozita.“Sot në takimin me opozitën e bashkuar kemi diskutuar për hapat e mëtejshëm që do të hidhen në aksionin tonë politik në të gjitha rrafshet, në raport me njerëzit, me qytetarët. Në raport me faktorin ndërkombëtar, dhe në raport me zgjidhjet që presin dhe që do t’u ofrojmë shqiptarëve. Në këtë kuadër kemi diskutuar gjerë e gjatë për emergjencën ekonomike ku ndodhet vendi, sepse një nga mëkatet më të mëdha, fajet më të mëdha të kësaj bande që na qeveris është që duke tërhequr opozitën në betejën parimore për vlera themelore të lirisë dhe demokracisë, të luftës kundër krimit dhe drogës, ia ka dalë t’i vërsulet Shqipërisë, buxhetit të saj, pasurive të saj, ta vjedhë dhe ta grabisë qytetarin e thjeshtë, pasuritë e këtij vendi dhe ta zhysë ekonominë në ditën e saj më të zezë, në të paktën 2 dekada. Ndaj bashkërisht kemi diskutuar për platformën tonë ekonomike, për zgjidhjet ekonomike që shqiptarët meritojnë dhe do të kenë me fitoren e opozitës së bashkuar, e cila tashmë jo vetëm thjeshtë përmes studimeve të opinionit publik, por edhe përmes referendumit të 30 Qershorit, është konfirmuar si mazhoranca e re politike”, tha Basha. /abcnews.al