Komisioni për shkarkimin e Metës, Gjermeni: Vullnet për t’i shkuar deri në fund

schedule18:46 - 11 Korrik, 2019

schedule 18:46 - 11 Korrik, 2019

Komisioni Hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta zhvilloi sot mbledhjen e saj të parë. Deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni, deklaroi nga studio e ABC News se mazhoranca ka vullnet ta çojë deri në fund këtë proces. Sipas saj, mazhoranca do që të nxjerrë mësime nga kjo çështje që lidhen me faktin se Kushtetuta është e paprekshme dhe duhet zbatuar nga të gjithë.

“Mendoj që fakti që një grup deputetësh firmosën dhe më pas u ngrit një Komision Hetimor, u votua nga pjesa më e madhe e deputetëve, mendoj që tregon një vullnet për t’i shkuar deri në fund këtij procesi faktit që është shkelur apo jo Kushtetuta. Faktit që me çdekretimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe me dekretimin e një date tjetër siç ishte 13 Tetori, të gjitha këto të shikohen në kontekstin e Kushtetutës, në kontekstin e përgjegjësive që ka Presidenti, detyrave që ka ai, çfarë i lejon dhe nuk i lejon Kushtetuta. Ju e thatë që ndodh për herë të parë. Këtë vit kemi shumë gjëra për herë të parë, kemi djegie mandatesh për herë të parë, kemi mosmarrje pjesë në zgjedhje, kemi çdekretim të zgjedhjeve në mes të fushatës. Mendoj që i gjithë vullneti politik i mazhorancës dhe jo vetëm është që ky proces të shkojë deri në fund dhe të nxjerrë mësime për faktin që nëse flasim për një kuadër institucional, ligjor, për Kushtetutën, të gjitha këto janë të paprekshme dhe duhen zbatuar nga të gjithë”, tha Gjermeni.

Ky është komisioni i parë hetimor që ngrihet më qëllim shkarkimin e Presidentit të Republikës. Ulsi Manja dhe Alban Zeneli do të drejtojnë punën hetimore, ndërsa sekretare komisioni do të jetë Klotilda Ferhati. Në mbledhjen tjetër komisioni do të miratojë rregulloren e punës dhe planin hetimor./abcnews.al