Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Në Frashër për 245-vjetorin e Teqesë/ Presidenti Begaj vlerëson kontributin e bektashinjve

schedule20:27 - 5 Shtator, 2026

schedule 20:27 - 5 Shtator, 2026

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë sot në 245-vjetorin e themelimit të Teqesë së Frashërit. Para besimtarëve bektashinj, të cilët 5 shtatorin e kanë ditë pelegrinazhi, Presidenti Begaj nderoi vëllezërit Frashëri dhe kujtoi vlerat historike të kësaj teqeje për përhapjen e dijes, për ruajtjen e identitetit shqiptar dhe çështjen kombëtare.

“Që nga viti 1781, kur “hodhi çatinë “kjo teqe, ajo nuk shërbeu vetëm si vend lutjeje. Ajo u bë shtëpi e hapur për udhëtarin, vatër dijeje e kuvendimi dhe, mbi të gjitha, vatër e ndërgjegjes shqiptare”, – deklaroi Presidenti i Republikës në fjalën përshëndetëse.

Kreu i Shtetit kujtoi rolin e klerikëve bektashinj në momentet vendimtare për shqiptarët, nga Rilindja, deri në ndërtimin e  shtetit.

Duke u ndalur në filozofinë dhe frymën e besimit, Presidenti i Republikës theksoi kontributin e bektashinjve në bashkejetesën fetare.

“Në ditët tona ne flasim shumë për harmoninë fetare, vërtet një vlerë e jashtëzakonshme, dhe shpesh rrezikojmë ta kthejmë atë në një formulë protokollare, por harmonia fetare shqiptare nuk lindi në tryeza zyrtare apo si çështje protokollare. Ajo u gatua në vende si kjo teqe, nga breza klerikësh e besimtarësh që ditën të ishin të përkushtuar në besimin e tyre dhe, njëkohësisht, të shihnin tek tjetri bashkëkombësin, fqinjin, vëllain e një gjaku e të një gjuhe”, – u shpreh Presidenti Begaj, duke theksuar se mesazhi i bektashizmit për urtësi, maturi e ndërtim urash mes njerëzve është sot po aq i gjallë dhe i nevojshëm sa dikur. “Drita e besimit dhe kujtesa e një populli nuk mund të shlyhen”, – u shpreh ai, duke kujtuar dhe përpjekjet e klerikëve që i mbijetuan diktaturës në Shqipëri dhe rizgjuan besimin.

Ai theksoi rëndësinë për mbrojtjen dhe përcjelljen e  kujtesës kombëtare dhe identitetit kombëtar.

Në fund të fjalës përshëndetëse, Presidenti i Republikës u shpreh se “Pelegrinazhi në Frashër është një udhëtim në rrënjët e identitetit tonë, atje ku besimi u bë dije, dija u bë vetëdije dhe vetëdija u bë atdhetari. Ndoshta prandaj sa herë që Naimi mendonte për Shqipërinë, mendja e shpirti i ktheheshin te kjo natyrë e te këto male. Dhe prej këtej, ai na la testamentin më të bukur: “Ti Shqipëri, më ep nder, më ep emrin shqiptar”.

Sot, nga Frashëri, kjo thirrje na kujton se nga vijmë dhe përgjegjësinë që kemi për vendin që do t’u lëmë brezave të ardhshëm”.

Presidenti i Republikës e mbylli vizitën e tij në Frashër duke vizituar shtëpinë e vëllezërve Frashër.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!