Bashkimi Europian dhe Amerika e Jugut kanë arritur një marrëveshje historike tregtare pas disa dekadash negociata. Akordi do të stimulojë tregtinë e lirë mes dy kontinenteve dhe do të mbulojë rreth 800 milionë konsumatorë.
Bashkimi Europian dhe blloku ekonomik i Amerikës së Jugut, Merkosur, kanë arritur një marrëveshje tregtare pas 20 vjet negociata. Presidenti i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker deklaroi se është marrëveshja më e madhe që Unioni ka arritur ndonjëherë, në një kohë kur tensionet tregtare janë më të larta se kurrë.
Ndërsa presidenti i Brazilit, Hair Bolsonaro tha se marrëveshja është historike dhe një nga më të rëndësishmet e të gjithë kohërave. Në bllokun Merkosur bëjnë pjesë Argjentina, Brazili, Uruguaji dhe Paraguaji dhe sipas zotit Junker, marrëveshja do të jetë në dobi të konsumatorëve të të dy palëve nënshkruese.
Në të njëjtën linjë, sekretari argjentinas për marrëdhëniet ndërkombëtare, Horasio Rejser tha se marrëveshja do të krijojë një treg të mirë për produktet dhe shërbimet, që do të mbulojë mbi 800 milionë konsumatorë.
Ndërsa në një komunikatë, qeveria e Brazilit saktësoi se marrëveshja parashikon eliminimin e tarifave për produkte si lëngu i portokallit, kafenë dhe frutat. Ndërsa prodhuesit e produkteve të tjera si mishi, sheqeri dhe etanoli do të kenë një akses më të madh në tregun europian.
Vitin e kaluar, Bashkimi Europian nënshkroi një marrëveshje për tregtinë e lirë me Japoninë, që mbulon rreth një të tretën e GDP-së së botës dhe 600 milionë konsumatorë./ABC News Albania 24/7