Gjatë një konference për mediat, kryetari i Partisë Demokratike, deklaroi se avokati që Rama ka pajtuar ndaj gazetarit Peter Tiede është një nga më të shtrenjtët në Europë. Sipas tij, të gjithë klientët e avokatit janë multimilionerë dhe miliarderë, prandaj vazhoi kryetari i PD-së, nuk është e rastësishme që aty të bëjë pjesë edhe kryeministri Rama.
“Sot, Edi Rama shpalli se ka pajtuar një avokat gjerman kundër gazetarit Peter Tiede. Është një nga avokatët më të shtrenjtë në Europë, që faturon të paktën 13 euro për minutë. Të gjithë klientët e këtij avokati janë multimilionerë dhe miliarderë dhe, mes tyre mbretër, dhe sulltanë.
Nuk është e rastësishme që në këtë listë, tani, do të jetë edhe Edi Rama, një nga njerëzit më të pasur të Ballkanit. Padia që ka bërë mund të kushtojë qindra mijëra euro. Por Edi Rama nuk i asgjë as as milionat”, tha Basha.
Sipas kryedemokratit Basha, Rama po përpiqet që të mbajë pushtetin duke realizuar zgjedhje farsë. Më tej, ai nënvizoi se Rama po provokon dhe po nxit përplasje shoqërore.
“Edi Rama po përpiqet të bëjë edhe gjënë e fundit që bën çdo autokrat për ta mbajtur pushtetin: zgjedhje farsë. Por ky do të jetë fundi i tij. Jo shumë kohë më pare Shqipëria jetonte nën diktaturën kriminale të Enver Hoxhës. Edhe atëherë kishte votime. Edhe pse një komunist, pjesë e krimeve të regjimit kundër popullit, Ramiz Alia kuptoi fundin e tij dhe e pranoi atë pa i sjellë fatkeqësi dhe kosto të tjera vendit. Kurse Edi Rama ka zgjedhur një rrugë më fatale. Ai ka javë të tëra që bredh nëpër Shqipëri, duke provokuar dhe nxitur përplasje shoqërore.
Në të gjitha protestat e opozitës, ka futur provokatorë për të nxitur dhunë. Në të gjitha vizitat nëpër Shqipëri ka folur për të motivuar dhunë. Kulmin e arriti mëngjesin para se të nisej për në Shkodër, pak ditë më parë, kur vendosi ta provokojë Shkodrën, duke e kërcënuar se policia e tij do të bënte një tjetër 2 prill. Edhe arrestimet dhe dhuna ndaj përfaqësuesve të opozitës, kanë për qëllim nxitjen e dhunës. Dhunën ka për qëllim e gjithë propaganda që bën me të huajt duke akuzuar opozitën për dhunë”, tha Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike deklaroi se opozita do të vijë në pushtet duke rrëzuar qeverinë e Ramës dhe jo me dhunë.
“Por plani i tij për dhunë ka dështuar. Shqiptarët e kanë kuptuar se dhuna i shërben Edi Ramës. Shqiptarët e dinë se përçarja është e keqja e të gjithëve. Opozita nuk vjen në pushtet me dhunë. Opozita do të vijë në pushtet, duke rrëzuar regjimin kriminal të Edi Ramës me forcën e mendjeve dhe zemrave të shqiptarëve të bashkuar kundër së keqes”, theksoi Basha./abcnews.al