Fitues në primaret e PD-së do të shpallen ata kandidatë që do të sigurojnë 50% +1 të votave. Në rastet kur asnjë nga kandidatët nuk do t’i sigurojë dot votat në këtë masë do të ketë balotazh. Detajet nga procesi i dha deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, i ftuar në “Radari Informativ” në Abc mbrëmjen e së hënës.
Po ashtu, Bylykbashi bëri të ditur se për shkak të nevojës për të kontaktuar të gjithë bazën e partisë është marrë vendimi për ta shtyrë procesin deri më 12 nëntor.
Për kandidatët është parashikuar 3 javë fushatë ndërsa deputeti demokrat theksoi se qëllimi kryesor nuk është fitorja e primareve por marrja e bashkive. Për këtë arsye, siç u shreh ai, gara do të trajtohet me maturi.
“Janë kandidatë që për shkak të eksperiencës së madhe që kanë, politike apo në jetën publike, në fund do të gjejmë kandidatin më të mirë. Nuk është qëllimi të fitojmë primaret, qëllimi është të fitojmë bashkitë. Do ketë maturi për të bërë një garë që i shton vlerë PD.”
I pyetur rreth kandidatëve që pritet të prezantojë së shpejti ai që quhet “grupimi Alibeaj,” Bylykbashi tha se ai në fakt nuk ka asnjë tagër ligjior që të nxjerrë një listë pasi “firma e tij nuk vlen për KQZ-në.”
“Në garë nuk garojnë ata që kanë përfaqësues të përhershëm në KQZ. Garojnë subjektet zgjedhore. Alibeajn nuk e njeh asnjë gjykatë si kryetar. Basha u shkarkua më 11 dhjetor. Vendimi nuk ishte final. Ratifikimi u bë me referendum nga mbi 40 mijë anëtarë të PD.”
Por çfarë do të ndodhë nëse KQZ nuk e njeh atë pjesë të PD-së që përfaqëson Sali Berisha për t’u regjistruar në zgjedhje? Bylykbashi thotë se ka precedent që KQZ kaq regjistruar në zgjedhje një parti e cila ka qenë në një proces gjyqësor, pa pasur një vendim të formës së prerë.
“Ne kemi vendim gjykatë që njeh organet e PD. Ajo e Alibeajt për mua është një shashkë. Mund të kemi një situatë groteske, që Basha të firmosë i dorëhequr. Dhe të thotë ju gënjeva për dorëheqjen, do ta regjistroj unë PD.”
Megjithatë, sipas Bylykbashit, nëse Basha firmos do të shkelte ligjin. /abcnews.al/