Lobimi në SHBA, Basha e dy funksionarët e PD nuk paraqiten në prokurori

schedule09:33 - 17 Qershor, 2019

schedule 09:33 - 17 Qershor, 2019

 

Lideri i opozitës Lulzim Basha nuk është paraqitur në prokurorinë e Tiranë, pas kërkesës së organit të akuzës, lidhur me hetimin e nisur për lobimin e PD-së në SHBA. Kreu i Partisë Demokratike me anë të një letre, u shpreh se është gati të paraqitet në prokurori, sapo ajo sipas tij, të zbatojë me përpikmëri ligji në thirrjen ndaj tij.

Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe dy funksionarët e selisë blu, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi nuk janë paraqitur të hënën në prokurorinë e Tiranës sipas thirrjes që kishin për orën 09:30 minuta.

Në një letër drejtuar organit të akuzës, thirrja e tyre konsiderohet shkelje e ligjit, pa prezantuar faktet mbi hetimin e lobimit të PD-së në SHBA.

“Ju nuk keni parashtruar në njoftimin tuaj asnjë fakt, që ka dalë nga hetimet, duke mos plotësuar detyrimet ligjore”, shkruan Basha, duke e mbyllur letrën me gatishmërinë për të zbatuar ligjin duke iu përgjigjur thirrjes, por duke kërkuar që prokuroria të bëjë të njëjtën gjë, duke plotësuar ftesën e saj për paraqitje.

“Ju nuk keni parashtruar asnjë fakt që ka dalë nga hetimet në njoftimin tuaj, duke mos plotësuar detyrimet tuaja ligjore.Për këtë arsye, akti juaj i njoftimit është absolutisht i pavlefshëm, sikurse përcakton neni 128/ pika 1 shkronja C, i KPP-së që parashikon se “aktet janë absolutisht të pavlefshme kur nuk respektohen dispozitat që lidhen me thirrjen e të pandehurit, viktimës ose praninë e mbrojtësit kur ajo është e detyrueshme.” Për sa më sipër, duke konfirmuar gatishmërinë time për të zbatuar ligjin, kërkoj nga prokuroria që të bëjë të njëjtën gjë. Në këto kushte, kërkoj plotësimin e ftesës për paraqitje, siç ju detyron ligji, duke rikonfirmuar gatishmërinë time për t’u paraqitur sipas njoftimit të ri të dërguar nga ana juaj në përputhje me ligjin”.

Prokuroria e Tiranës në njoftimin e datës 12 qershor kërkoi që kreu i PD-së Basha duhet të merret forcërisht nëse nuk paraqitet vullnetarisht pranë organit të akuzës në bazë të nenit 308 të kodit të procedurës penale. Por çfare parashikon ky nen?

Neni 308 i Kodit te procedures penale

“Prokurori fton personin ndaj të cilit zhvillohen hetime të paraqitet kur do ta marrë në pyetje ose kur duhet të kryejë veprime që kërkojnë praninë e tij. Ftesa përmban edhe parashtrimin e përmbledhur të faktit që rezulton nga hetimet e bëra deri në atë çast. Ftesa njoftohet të paktën tri ditë para asaj që është caktuar për paraqitje, me përjashtim të rasteve të ngutshme”.

Nga hetimet e kryera prokuroria thote se janë evidentuar veprat penale që ka të bëjë me nenin 190 për falsifikimin e vulave, stampave ose formulareve dhe dënimi me burgim është parashikuar nga tre deri në shtatë vjet”

Ndersa vepra tjetër penale ka të bëjë me neni 287 për pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.

Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e Partise Demokratike doli ne pah nentorin e vitit 2017  kur firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë.

Kompania deklaroi se  ka marrë tre pagesa. Epara mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë. Partia Demokratike nga ana e saj nuk i ka pranuar lidhjet me firmën ‘Biniatta Trade”.

/ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!