Kristiano Ronaldo i shtoi një tjetër trofe të madh karrierës së tij të lavdishme. Ylli i Realit të Madridit fitoi Topin e Artë të vitit 2017, në një garë të madhe me Lionel Mesin.
Ishte e paralajmëruar, por sërish shumë emocionuese.
Një Kristiano Ronaldo që mund të quhet drejt perëndimit të karrierës, fitoi një tjetër trofe të madh, Topin e Artë të vitit 2017.
Ylli i Realit të Madridit, që ende mund të pretendojë se është më I miri futbollist në botë, e mori çmimin e madh të revistës “Frans Futboll”, në ceremoninë e organizuar në Paris.
Ky ishte Topi i pestë i Artë në karrierën e Ronaldos, që u barazua kështu me Lionel Mesin, duke qenë të dy rekordmenët, ata që e kanë fituar atë më shumë se cilido futbollist tjetër.
“Në nivel personal unë dola shënuesi më I mirë I Championsit, – tha Ronaldo, – trofetë që fitova më ndihmuan padyshim. Duhet të falenderoj shokët e mi të Realit dhe të kombëtares. Dua të falenderoj të gjithë ata që më ndihmuan që të jem këtu”.
Më herët, portugezi fitoi çmimin e lojtarit më të mirë të vitit të dhënë nga FIFA.
Pasi u përcaktua renditja deri tek vendi i tretë, në skenë u ngjitën ish-lojtari francez, Zhinola, dhe braziliani i famshëm, Ronaldo, i mbiquajtur “Fenomeni”.
Ishin ata që zbuluan emrin e Ronaldos që la pas Mesin dhe Nejmarin.
Numri 7 i Realit tani ka jo vetëm po aq Topa të Artë sa Mesi, por edhe po aq trofe Këpuca e Artë, si dhe po aq Champions të fituar, katër./abcnews.al