Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Luiza Gega përtej medaljeve: Gjithmonë e kam menduar tërheqjen nga sporti, ka qenë rrugëtim i vështirë

schedule21:49 - 11 Gusht, 2026

schedule 21:49 - 11 Gusht, 2026

TIRANË- Atletja shqiptare Luzia Gega ka rrëfyer në emisionin “Summer Time Show” në ABC News historinë e saj, nga fëmijëria deri te suksesi në arenën ndërkombëtare.

Gega tregoi se ka ardhur në Durrës që në moshën dyvjeçare dhe se ka qenë një fëmijë shumë aktiv. Ajo u njoh me atletikën në moshën 14-vjeçare, pas sugjerimit të një të afërmi të familjes, dhe vetëm tre muaj pas nisjes së stërvitjes arriti të fitonte garën e saj të parë.

Jam me orgjinë nga Dibra. Kam ardhur dy vjeç në Durrës. Përbehemi nga një familje e madhe, jemi katër motra dhe një vëlla, kam qenë fëmijë shumë aktiv. Le të themi  më “mistrecja” e familjes, gjithë kohës doja të lozja. Ka qenë gjithmonë kjo natyra ime festive, por deri në moshën 14 vjeç askush nuk ma kishte dhënë këtë mundësi që të provoja një sport edhe unë në fakt sport i vetëm që kam provuar ka qenë atletika. Nuk e dija nëse do isha mirë në sporte të tjera, por me sa duket kam qëlluar në shenjë. Ka qenë i afërm i familjes, burri i tezes, që ishte trajneri te Mjeshtëria Sportive e Durrësit, duke parë natyrën time sportive më tha pse nuk vjen ta provosh dhe prindërit duke parë natyrë time shumë aktive ishin dakord, dhe pikërisht në këtë vend ku jemi në Kodrat e liqenit ka qenë gara ime e parë që kam bërë. Kisha vetëm tre muaj që kisha bërë stërvitja dhe arrita të dal e para  me të reja, aty ishte dhe një emocion” tha ajo.



Por rrugëtimi drejt majës nuk ka qenë i lehtë. Atletja shqiptare tha se ka pasur periudha kur ka menduar të largohej nga sporti, për shkak të mungesës së mbështetjes dhe kushteve të vështira të stërvitjes.

“Shpeshherë gjatë gjithë rrugëtimit tim kam menduar të tërhiqem. Ka qenë shumë i vështirë, sepse mbështetja ka qenë pothuajse inekzistente”, u shpreh Gega, duke kujtuar se në një periudhë merrte vetëm 12 mijë lekë të reja dhe se familja duhej të bënte sakrifica shtesë për karrierën e saj.

Një moment veçanërisht i vështirë ishte viti 2016, kur stadiumi “Qemal Stafa”, ku ajo stërvitej, u mbyll për t’u prishur. Megjithatë, Gega vendosi të vazhdonte dhe të fokusohej vetëm te stërvitja.

Sot, karriera e saj numëron dhjetëra medalje dhe rezultate të rëndësishme ndërkombëtare, mes tyre medalje europiane e mesdhetare, si dhe pjesëmarrje në tri olimpiada. Gega veçon vitin 2022 si një nga momentet më të rëndësishme të karrierës, kur arriti të shpallej kampione e Europës.

Unë isha e vetmja shqiptare në gjithë historinë e atletikës që arrita të marr një medalje argjendi në një kampionat europian, deri në atë moment askush nuk kishte arritur të futej as në finale dhe gjërat nuk ndryshuan. Kështu që ai ishte pikërisht momenti që fillova duke bërë edhe rezultate më të mëdha. Pastaj erdhi kampionati i Mesdheut, më pas, pas katër vitesh, erdhën Lojërat Mesdhetare, kampionat përsëri i Mesdheut dhe rekordi i Mesdheut.

Pastaj, sigurisht, ambicia ishte viti 2022, sepse unë kisha marrë plot rezultate. Unë kam 23 medalje të arta ballkanike, kam tre argjendi, tre medalje mesdhetare, dy europiane, e pesta në botë, finaliste olimpike, tre olimpiada. Çdo medalje ka historinë dhe sakrificën e saj, por sigurisht që emocionet më të mëdha kanë qenë pikërisht në vitin 2022. Ka qenë pikërisht ai moment, ndoshta jo vetëm për atë që unë arrita të jem në majë të Europës, por edhe për faktin që pati një ndikim shumë të madh tek njerëzit“, tha ajo.

Gega theksoi gjithashtu rëndësinë e disiplinës në sport, duke u shprehur se motivimi nuk është gjithmonë i pranishëm, por qëllimi dhe përkushtimi e shtyjnë një sportist të vazhdojë përpara.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!