Të gabuar e quan Mustafa Nano dekretin e Presidentit Meta që anulon zgjedhjet e 30 Qershorit. Gjatë emisionit “Provokacija”, gazetari e konsideroi këtë gjest si një prej atyre që përplasjen civile e mbartin si qëllim.
“Presidenti i Republikës ka nxjerrë një dekret nëpërmjet së cilit ka provokuar një diskutim të madh kombëtar. Është një dekret nëpërmjet të cilit, ai anulon dekretin e parë mbi mbajtjen e zgjedhjeve në 30 Qershor. Sipas meje, ky është një vendim tërësisht i gabuar. Madje, madje më duket qëllimisht i gabuar. Është një prej atyre gjesteve që përplasjen civile nuk është se e sjellin si pasojë, por e mbartin si qëllim. Ky është qëndrimi im lidhur me vendimin e Presidentit”, tha Nano.
Nga ana tjetër, edhe pse mendon se duhet tentuar shkarkimi i Metës, kjo është gjë e pamundur. Shkak sipas tij është Kushtetuta.
“Lind pyetja duhet shkarkuar Presidenti? Sipas meje do duhej tentuar shkarkimi i tij, por mund të shkarkohet? Është e pamundur të shkarkohet. Ne do kemi president Ilir Metën, sepse pavarësisht nga vendimi që do merret në parlament dhe ndoshta votat aty mund të gjenden, në fund fare, sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë do duhej që vendimi i Parlamentit t’i jepej OK i Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk ekziston. Ky problem më duket i zgjidhur dhe gjithë përpjekja e mazhorancës për të krijuar një aksion parlamentar apo politik për të shkarkuar Presidentin e Republikës më duket i kotë, më duken të humbura”, tha Nano.
Sipas Nanos, zgjedhjet mund të bëhen edhe nëse mungon opozita duke pasur parasysh rrethanat, sepse demokracia nuk e nënkupton garën si detyrim për pjesëmarrje, por si të drejtë për pjesëmarrje.
“Lind pyetja tjetër. Si i bëhet me zgjedhjet në këto rrethana? Do bëhen zgjedhjet? Duhet të bëhen zgjedhjet? Unë këtë nuk e di. Unë pres që të flasin konstitucionalistët, njerëzit që janë të dijshëm në këtë fushë dhe ata po flasin, për fat të keq janë të ndarë mbi bazën e pozicioneve të tyre politike dhe në këtë kuptim nuk e di se çfarë do ndodhë. Nuk më pëlqejnë disa njerëz, kolegë të mia apo intelektualë të tjerë që tani janë kapur pas vendimit të Presidentit dhe thonë që në këto rrethana nuk mund të bëhen zgjedhjet. Kanë hequr dorë nga teza e parë, nga fakti që deri para këtij momenti ishin kapur te principi sipas të cilit nuk ka zgjedhje pa opozitën. Unë bëj pjesë te ata njerëz që mendoj se zgjedhje pa opozitën mund të bëhen. Janë një situatë qesharake, janë një situatë absurde, por në rrethanat që opozita merr vendimin për të mos u futur për arsyet e veta, zgjedhjet duhen mbajtur sepse janë detyrim kushtetues. Demokracia nuk e nënkupton garën si detyrim për pjesëmarrje, e nënkupton garën si e drejtë për pjesëmarrje.
Kolegët e mi që kanë mbajtur këtë qëndrim nuk më kanë pëlqyer edhe për një arsye tjetër. Më saktë për qëndrimin që kanë mbajtur lidhur me tre gjëra, që mua më duken të rënda dhe që unë kam menduar gjithmonë që shqiptarët duhet të kishin një konsensus të përbashkët lidhur me qëndrimin që duhej mbajtur ndaj: 1. Djegies së mandateve 2. Bojkotimit të zgjedhjeve 3. Kërcënimeve dhe kanosjeve që i janë bërë vendim me përplasjen civile. Në këto tre momente, pavarësisht kritikave që kemi me mazhorancën, me Edi Ramën, janë tre gjeste që i venë minat sistemit tonë që kemi zgjedhur të jetojmë. Për mua ky qëndrim është qëndrim destruktiv. Unë kurrë në jetën time nuk kam parë qëndrime të tilla kaq destruktive”, tha analisti./abcnews.al