Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka vazhduar me kritikat e tij ndaj pushtetit qendror të Lëvizjes Vetëvendosje. Në një reagim të postuar në Facebook, duke u ndërlidhur me aktakuzën e ngritur ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh, e ku në një pjesë të saj është publikuar një letër që dyshohet se është shkruar nga strukturat e sigurisë së Serbisë, në të cilën kërkohet që “Kosova të shndërrohet në Kandahar”.
Rama kërkoi nga LVV që t’ju tregojë qytetarëve se “kush ju dha urdhër me blloku Prishtinën? Kush po don me e pa Kosovën si “Kandahar”?” Ai thotë se përveç sheshit “Xhorxh Bush”, edhe “Ishulli Urban”, projekt që lidh 30,000 banorë të Arbërisë me qendrën, “u bllokua nga kjo Qeveri”.
Më tej, ai thotë se më maj të këtij viti u ndaluan punimet, ndërsa më 5 qershor është miratuar akti ligjor. “Tregoni qytetarëve të Prishtinës, mbi çfarë baze i ndalët punimet? Me urdhër të kujt i vendosët shiritat? Kujt po i shërben kjo bllokadë? Kujt po i pengon zhvillimi i Kryeqytetit? Dhe kush po don me e pa Kosovën si “Kandahar”?”, pyeti Rama.
Kreu i Kryeqytetit tha se do të vazhdojnë të ndërtojnë ndërsa shtoi se “për juve ka me tregu historia pse po e bllokoni zhvilimin e Kryeqytetit”.


