Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar referendum për një ndarje të re territoriale për sa i përket numrit të bashkive në vendin tonë.
Në një deklaratë për mediet Enkeljed Alibeaj është shprehur se PD po punon për përpilimin final të ofertës së Grupit Parlamentar për reformën territorial.
Ndërsa shton se është konsultuar me partnerët ndërkombëtarë për reformën territorial.
Sipas tij, ngritja e komisionit të reformës territoriale nga opozita vjen si nevojë e kërkesave të publikut shqiptar. Alibeaj theksoi se thelbi i reformës është marrja e pushtetit nga qendra, dhe çuarja e tij në bazë, pra te qytetari.
Lexo edhe: “Territorialja”, Alibeaj: Maxhoranca ka skenar për të marrë në tavolinë zgjedhjet e 2023
“Reforma territorial është kërkesë e qytetarëve. Jemi në kohën ku jemi në momentin e fundit të përpunimit të daljes së ofertës tonë. Do të bëjmë të mundur së pari me publikun se cili është produkti ynë sigurisht do kemi konsultime dhe me partnerët ndërkombëtarë. I bëj thirrje asaj që është nevoja e publikut shqiptar. Kemi detyrimin që pjesën tonë ta bëjmë deri në fund”, tha Alibeaj.
Ndryshe nga harta aktuale e cila e ndan Shqipërinë në 61 njësi vendore, demokratët kanë propozuar një ndarje të re me 92 bashki. Ashtu siç konfirmoi për ABC, bashkëkryetarj e Komisionit,
Dhurata Çupi, demokratët kanë propozuar shtimin e 31 bashkive të reja.
Sipas propozimit të PD, Paskuqani i bashkohet Bashkisë Tiranë dhe Zallherri i bashkohet Bashkisë Kamëz.
Demokratët sugjerojnë gjithashtu që shtimin e bashkisë Maqellar, Kastriot dhe Lurë në qarkun Dibër; Bashkia Shpirag në qarkun Berat; Bashkia Dukagjin dhe Velipojë në Qarkun Shkodër; Bashkia Shpat dhe Bashkia Bardashesh në qarkun Elbasan; Bashkitë Milot, Orosh, Zadrimë dhe Bregu i Matës në qarkun Lezhë; Bashkitë Levan, Dushk, Ardenicë dhe Fratër në qarkun Fier;
Bashkitë Shishtavec dhe Bicaj në qarkun Kukës; Bashkitë Leskovik, Voskopoj, Drenovë, Pojani dhe Stravë në qarkun Korçë; Bashkitë Orikum, Ksamil, Novosel dhe Kote në qarkun Vlorë.
Demokratët sugjerojnë edhe ndarjen e Shqipërisë në 6 rajone duke hequr dorë nga koncepti i ndarjes në qarqe. Drafti do t’i përcillet komisionit të posaçëm të reformës territoriale ku socialistët janë kundër rritjes së numrit të bashkive./Abcnews.al/