Rama: E kam thirrur Arta Markun, për cënimin e rendit kushtetues

schedule14:30 - 12 Maj, 2019

schedule 14:30 - 12 Maj, 2019

Mbi një orë e gjysmë të së dielës  kryeministri Edi Rama ia dedikoi protestës së opozitës.

Ai i shprehu solidaritetin  Policisë së Shtetit, pohoi se me Sekretarin  Organizativ të Partisë Demokratike Sahit Dollapi e kaloi cakun ndonëse tha se e mirëkupton.

Ngjarjen e quajti incident dhe e paralelizoi me 21 janarin e vitit 2011.

Incident me organizatorët kryesor të dhunës… me 21 janar nuk u qëllua me guriçke dhe u urdhërua vrasja e 4 protestuesve…Presion shtazarak ndaj uniformës së policisë se shtetit, i mirëkuptoj dhe ata të dy punonjës policie që bën një verpim të tepërt, duke e gjykuar ne nga ekrani”, tha Rama.

Me tone të qeta, por i prerë, opozitës i dërgoi këtë mesazh.

Nuk ka shans të rrëzosh një qeveri të dalë nga zgjedhjet me këtë formë, s’ka ndodhur askund, s’ka për të ndodhur askund“.

Dënoi sulmet ndaj Ambasadorit të OSBE-së në vendin tonë ndërkohë që përseriti ftesën për dialog drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha.

 

“Dje, ose më saktë natën është kërcënuar ambasadori i OSBE-së, menjëherë pas një deklarate shumë të qartë të OSBE-së, që foli për organizatorë përgjegjës për dhunë kriminale. OSBE-ja, organizata që zakonisht kur flet duket sikur i ka të gjitha të peshuara në kandar farmacie, që do të thotë, që, kur OSBE-ja bën këtë deklaratë, një pyetje, mendoj, duhet t’ia bëjmë të gjithë vetes: a jemi vërtet të vetëdijshëm deri në fund se çfarë është kjo? Dhunë kriminale e pashembullt, se dikush në hije, dikush që ndihet i përjashtuar totalisht nga rrjedha e zhvillimeve ekonomike dhe shoqërore vesh jelekun e verdhë, del në Champs Élysées, ose tenton të shkojë deri në derën e Asamblesë Nacionale, siç quhet Kuvendi i Francës dhe e bën këtë, që është e papranueshme e patolerueshme, por sidoqoftë vjen nga dikush që ndjehet se s’ka zë, s’ka vizibilitet, s’ka asgjë për të humbur, por një grupim parlamentar që ka detyrimin kushtetues të përfaqësojë të tjerët që i kanë dhënë votën për të shkuar dhe për ta përfaqësuar, që del nga Parlamenti dhe pastaj vjen natën para Parlamentit me jelekun e verdhë, është fundi! Nuk ka ndërkombëtar që të ulet të bëjë një paketë për të propozuar negociata me këta.

Mesazh kam për mikun tim vulëhumbur, kujtoje mesazhin që të kam dërguar para ca kohësh, nuk je vonë akoma, llogarinë ata që të ndjekin do ta kërkojnë ty. Nëse thotë se nuk e bën për karrige ulemi flasim dhe i kthejmë në nisma ligjore nëse nuk është një luftë e ulët për të bërë një Pazar”.

Sa i përket Presidentit të Republikës tha se nuk do të donte të ishte në vend të tij në kohë protestash.

“Për sa i përket Presidentit të Republikës në momente protestash unë ia qaj hallin sinqerisht, shoqërisht, miqësisht, politikisht nuk mund të them, sepse është jashtë kapaciteteve të mia për ta kuptuar situatën politike të tij, por ia qaj hallin realisht. Nuk do doja kurrë të isha në vendin e tij. Është në hall shumë të madh. Kështu që, për këtë arsye mendoj që ka shumë të drejtë që nuk më ka thirrur asnjëherë për këtë çështje. E mirëkuptoj plotësisht Presidentin! Me gjithë ato që kanë ndodhur, që ju i dini, nga pikëpamja e marrëdhënieve institucionet, që nuk dua t’i kthehem, mbetem i solidarizuar me Presidentin sa herë mendoj protestat e opozitës, një solidaritet njerëzor që ai, si çdo njeri i ndodhur në kushtet e tij, e meriton”.

Ndërkohë kryeministri Rama pranoi se ka thirrur në një takim Prokuroren e Përgjithshme të Përkohëshme Arta Marku dhe drejtuesit e institucioneve të tjera ligjzbatuese  pasi sipas tij është cënuar rendi kushtetues.

“E kam thirrur, po, Prokuroren e Përgjithshme së bashku me drejtuesit e tjerë të agjencive ligjzbatuese, jo për protestën e djeshme, por për të nënvizuar domosdoshmërinë e vëmendjes së të gjithë institucioneve ligjzbatuese në një proces, ku dje është dhënë mesazhi i kërcënimit të rendit kushtetues dhe për të garantuar që ky mesazh nuk do të gjejë rrugë për t’u kthyer në pengesë për zgjedhjet. Zgjedhjet nuk janë të miat, nuk janë të Partisë Socialiste, nuk janë as të qeverisë, nuk janë as të një pale, zgjedhjet janë themeli i kësaj shtëpie që kemi vendosur ta ndërtojmë në një sistem bashkëjetese të ndryshëm kur vendosëm të asgjësojmë sistemin e vjetër të bashkëjetesës, janë themeli. Prekja e këtyre themeleve është prekje e të gjithë ngrehinës së përbashkët. Kjo është arsyeja.

Të ruajmë qetësinë dhe vetëpërmbajtjen. Shpreh solidaritet për punonjësit dhe drejtuesit e policisë së shtetit…pas dhunës kanë treguar vetëpërmbajtje.

Një person që nuk dua t’ia sjell emrin, i përfshirë krejt pa lidhje nga ajo valë dhune, asokohe pronar i një televizioni, një nga pronarët, ka shkuar jashtë shtetit dhe është kuruar për brinjët e thyera me shpatull të nxjerrë. Ia kujtoj këto të gjithë shqiptarëve, jo atyre që kanë vendosur të mos dëgjojnë, por vetëm të flasin çfarë u vjen për mbarë në funksion të dhunës, për arsyen e thjeshtë se po, do të kishte qenë pa diskutim perfeksion, i gjithë qëndrimi i policisë së shtetit, dje në 7 orë sulme, nëse në ato 2-3 sekonda, dy punonjës policie nuk do kishin goditur me shkop gome dikë që i iku policisë me vrap. Dikush që i ikën policisë me vrap, ka një arsye pse ikën me vrap dhe më lejoni t’ju them që në vende me demokraci shumë më të konsoliduar se e jona, do ta kishte pësuar shumë më keq dhe mos harroni që të veprosh në ato kushte, të jesh nën flakë e nën gurë, e nën një presion shtazarak për 7 orë, duke qenë nën uniformën e policisë së shtetit, nuk është gjëja më e kollajshme dhe nuk janë kushtet më optimale për të pasur qetësi dhe qartësi në çdo moment. Ama turp më të madh, hipokrizi më të madhe dhe përqeshje më të madhe me shqiptarët sesa atë incident, në aspektin teknik dhe në aspektin etik të sjelljes së policisë, ta kthesh në një histeri për të provuar se në 7 orë ishte polica e shtetit shkaktarja e gjithë asaj që pamë, nuk ka. Dua ta them këtë sepse kam pasur jashtëzakonisht shumë mesazhe. Mesazhe njerëzish të shqetësuar, njerëzish të dëshpëruar, njerëzish të revoltuar nga pamjet skandaloze që prodhoi dje një Shqipëri, që nuk është Shqipëria e popullit shqiptar. Është Shqipëria e një grupimi të dalë jashtë kontrollit të vetes që nuk kontrollon dot më vetveten dhe kërkon të nxjerrë jashtë kontrollit Shqipërinë. Njerëz, të cilët ankoheshin tek unë, pse nuk kundërveproni me forcë, pse nuk i fusni në burg këta. Dua ta them shumë qartë, ne nuk jemi ata, e para. Nuk kemi qenë ata, nuk jemi ata e nuk do jemi kurrë ata. Kush fitoi nga përhapja në të gjithë pasqyrat informative të botës, e pamjeve të Shqipërisë së atyre 7 orëve. Kush fitoi? Mund të ma thoni? Kush fitoi? Askush! Kush humbi? Humbi çdokush! tha Rama./ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!