Policia Rrugore ka vijuar gjatë fundjavës kontrollet në të gjithë vendin duke përdorur pajisjet logjistike bashkëkohore që tashmë ka në dispozicion. Bëhet e ditur se makina inteligjente, flota e automjeteve të reja, të pajisura me radarë dhe lexues automatikë, radarë, kamera, aparate fotografike, dronë dhe mjete të palogura, po monitorojnë qarkullimin rrugor në të gjithë rrugët e vendit.
Sipas asaj që njofton “Rrugorja”, gjatë ditës së sotme në të gjitha rrugët e vendit janë konstatuar qindra shkelje që konsistojnë në:
- parakalime të gabuara;
- qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara;
- drejtim i mjetit, në gjendje të dehur;
- përdorim i celularit gjatë drejtimit të mjetit, si dhe
- mosvendosje e rripit të sigurimit.
Po ashtu, bëhet e ditur se janë skanuar 221 shpejtësi mbi normat e lejuara. Drejtuesve të këtyre mjeteve u është pezulluar leja e drejtimit për një periudhë nga 3 deri në 15 muaj, u janë zbritur nga lejet e drejtimit, nga 8 deri në 12 pikë, si dhe janë ndëshkuar me masa administrative që variojnë nga 15.000 deri në 50.000 lekë të rinj.
Gjithashtu, janë ndëshkuar me masa administrave për parakalime të gabuara 341 drejtues mjetesh;
114 për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit,
451 drejtues mjetesh për përdorimi të celularit gjatë drejtimit të mjetit,
253 drejtues mjetesh për mosvendosje të rripit të sigurimit,
142 drejtues motomjetesh për mosvendosje të kaskës mbrojtëse.
Gjatë ditës së sotme, janë vënë në pranga 5 drejtues mjetesh, në gjendje të dehur dhe 4 drejtues motomjetesh pa leje drejtimi. /abcnews.al/