Grupi prej 320 afganësh që prej thuajse një viti janë strehuar në Shëngjin kërkon sot që evakuohen nga Shqipëria dhe të dërgohen në vendet ku u ishte premtuar.
Ata janë strehuar në një resort në Shëngjin që prej shtatorit të shkuar, por që nga janari në strukturën akomoduese nuk janë bërë më pagesa për ta. Megjithatë, siç raportoi gazetari Gjergj Figuri, kërkesa për t’u larguar është bërë nga vetë ata pasi nga resorti në fjalë janë shprehur që nuk do t’i nxjerrin jashtë.
Burra, gra e fëmijë kanë dalë në protestë ndërsa në duar mbajnë pankarta në të cilat shkruhen mesazhe të tilla si: “Amerika është përgjegjëse për afganët,” “Na kanë harruar, duam të na evakuojnë,” “Ne jemi të barabartë me Ukrainën,” etj.
Organizata që merret me trajtimin e tyre ka kërkuar që të gjenden disa shtëpi të tjera për t’i akomoduar. Por nuk dihet se ç’do të ndodhë konkretisht.
Refugjatët afganë thonë se ndihen të diskriminuar dhe kërkojnë ndihmën e shtetit amerikan. Ndërkohë, po shihet një për të gjetur një mënyrë, në negociata është përfshirë edhe qeveria shqiptare, që të paguhen debitë që ata të vijojnë të qëndrojnë në hotel. /abcnews.al/