“Gati për të festuar! Festojmë 100 vjetorin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë këtë vit dhe kjo ngjarje meriton një festë. Me shumë kënaqësi shpall Javën e Amerikës, javën e ardhshme! Dua t’ju ftoj të gjithëve ju dhe familjet tuaja të na bashkoheni për një festë një javore, që do të ketë muzikë, ushqim dhe argëtim amerikan. Të gjitha aktivitetet janë pa pagesë dhe të hapura për të gjithë”.
Përmes këtij mesazhi të publikuar në faqen e ambasadës së SHBA në Tiranë, ambasadorja Yuri Kim shpalli sot “Javën e Amerikës” me rastin e festimit të 100 vjetorit të marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Element i veçantë, grupi rrok i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara “Touch ‘n Go” do të vijë posaçërisht në Shqipëri.
“Ky grup fantastik do të japë koncert të enjten mbrëma në sheshin “Skënderbej” dhe të shtunën në Kështjellën e Rozafës në Shkodër. Do të shfaqim gjithashtu edhe disa nga filmat tanë të preferuar amerikanë tek Reja në Tiranë dhe do të festojmë shumëllojshmërinë e shijshme të ushqimit amerikan tek Pazari i Ri. Të gjitha detajet dhe kalendari i plotë të Javës Amerikane janë në faqet e Facebook dhe Instagram të Ambasadës, prandaj klikoni tek to dhe shihemi atje!”, tha Kim.
/abcnews.al