Përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës nuk ia kanë humbur shpresën përfaqësuesve ndërkombëtarë se një ditë mund të ulen e të bisedojnë qetësisht. Një fakt të tillë e konfirmoi vetë ambasadori i OSBE-së, Berndt Borchardt.
“Po kërkojmë dhe nxisim të gjitha partitë politike që të marrin pjesë në zgjedhje. Nxisim dialogun dhe një kërkim të përbashkët të problemeve me të cilat përballet vendi”, tha ai.
I fokusuar tek e tashmja ambasadori i OSBE në vendin tonë nuk pranoi të komentojë deklaratat e kryeministrit Edi Rama se do të hyjnë në zgjedhjet e 30 Qershorit me ose pa opozitën.
“Është e pamundur që të shikoj të ardhmen”, tha Borchardt.
Interesimit të gazetarëve për legjitimitetin e opozitës së re që është ulur në parlament kreu i OSBE i kujtoi firmat që opozita ka hedhur për njohjen e zgjedhjeve.
“Të gjitha partitë që kanë përfaqësues në KQZ i kanë njohur zgjedhjet e vitit 2017”, tha ambasadori i OSBE-së.
Këto deklarata ambasadori Bernd Borchard i bëri pas një takimi të zhvilluar me studentët e universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër./abcnews.al