Bashkia e Vjenës i dhuron 40 pemë parkut të liqenit

schedule13:44 - 14 Prill, 2019

schedule 13:44 - 14 Prill, 2019

Aksionit të mbjelljes së pemëve në kryeqytet i është bashkuar edhe ambasadori austriak në Tiranë, Johann Sattler, si dhe përfaqësues të ambasadës e të Bashkisë së Vjenës, të cilët i dhuruan kryeqytetit 40 pemë të ndryshme në Parkun e Liqenit Artificial.

Panje, frashër, likuidamber dhe bli janë dhurata që ka zgjedhur t’i bëjë bashkia e Vjenës, Parkut të Liqenit artificial. Falenderimet kryebashkiaku Erion Veliaj ia dha jo vetëm shqip.

“Dua fillimisht të them shumë faleminderit, jo vetëm për një bashkëpunim të shkëlqyer që kemi në përditshmërinë tonë. Pavarësisht nëse dikush është vizitor, diplomat ose do të jetojë tërë jetën këtu, secili bën sa mundet në vendin ku ka hedhur rrënjë”, tha ai.

Përgjegjësia sociale duhet të ekzistojë jo vetëm te ata që janë banorë të përhershëm të një qyteti, por edhe ata që janë rezident për një kohë të caktuar, siç është rasti edhe i përfaqësuesve diplomatik u shpreh kryetari i bashkisë së Tiranës.

“Në fund të ditës, bashkëpunimi mes qyteteve dhe shteteve është bashkëpunim mes njerëzish dhe kur njerëzit punojnë bashkë, qoftë edhe në gjëra simbolike si mbjellja e pemëve apo në projekte të mëdha infrastrukture, atëherë edhe kombet afrohen më shumë”, tha ai.

Ambasadori i Austrisë Johann Sattler vlerësoi transformimin që po ndodh në Tiranë, ndërsa nënvizoi punën që po bëhet kryesisht me gjelbërimin.

“Jo vetëm shpirtin e Vjenës, por edhe ca oksigjen për tironsit, siç i thoni ju. Mendoj se mund të jemi krenarë me atë çfarë po ndodh në Tiranë vitet e fundit, po gjelbërohet dita ditës, dhe mendoj se kjo është gjë mjaft e madhe. Në cilësinë e jetës, Vjena është numri një prej shumë vitesh, por Tirana po na arrin shumë shpejt, ndaj mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm që të mos na i kalojë”, u shpreh ambasadori.

40 pemët e dhuruara nga Bashkia e Vjenës janë pjesë e një kontributi prej 4500 pemësh që kanë të gjitha shtigjet e reja të Liqenit të Tiranës./abcnews.al