Vrasja e të riut Marvi Mihali për një karikues, në korrik të 2017, tashmë e ka një autor. Sipas trupës gjykuese Dejvis Bitraj bashkë me Eugen Bitrajn, Kridens dhe Marsel Allën kanë kryer vrasjen e 22- vjeçarit me dashje. Ndërsa prokurori i akuzonte të pandehurit për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim.
Por, 19 vite burg për Dejvi Bitrajn, dhe 12 vite për Eugen Bitrajn, Kridens dhe Marsel Allën, nuk janë të mjaftueshme për prindërit e viktimës. Të revoltuar, prindërit e Marvit mallkuan trupën gjykuese për këtë vendim.
E ëma e Marvit: “Sot djalit tim i ka lëvizur pllaka e mermerit sipër varrit. Sa të kem jetë, të gjithë ata që janë përlyer në këtë histori të ndyrë do të marrin reston e vet. Unë nuk do të ndaloj së kërkuari drejtësi, kjo është tallje. Ai e theri, ia nguli thikën nga lart, 15 metra mbi shpinë, e rrëzuan tinëz, që nuk kishin asnjë punë dhe ai ndryshon kualifikimin e veprës penale, heq paramendimin, le vetëm vrasje në bashkëpunim me dashje, që të abuzojnë me vendimin. Siç duket këta gjykatës nuk kanë frikë as nga vettingu, ose e dinë që janë në rreth, të futur në rreth dhe tani të përfitojnë çfarë munden. Nuk i bëhet vonë se vdiq djali im. Fatin tim të zi e provofshin gjykatësit në fillim”.
I ati i Marvit: “Mallkimi i djalit tim i ndjektë këta gjykatës, këta plehra. Si e ndërrojnë kualifikimin e veprës këta? Këtu të gjitha faktet janë të pastra si kristali. Ç’është kjo drejtësi? Unë do them vetëm një gjë, padrejtësia e gjykatësve sot lëvizi pllakën e djalit tim. Por ne do ta ndjekim këtë me çdo kusht, unë do ta vendos drejtësinë me të gjitha mënyrat”.
Krimi i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 31 korrikut të 2017. Marvi Mihali u godit me thikë pas një sherri për karikues telefoni. I riu ndërroi jetë në vendin e ngjarjes për shkak të plagëve të marra.
/abcnews.al