Egnatia arriti t’i rrëmbente Kukësin një pikë në përballje e zhvilluar në Kamëz, takim i vlefshëm për javën e 28-të të kampionatit shqiptarë.
Një pikë shumë me vlerë për rrogozhinasit në garën për mbijetesë duke pasur parasysh edhe kundërshtarin.
Pas ndeshjes trajneri Zekirija Ramadani ishte i kënaqur me pikën e marrë e cila do t’iu shërbejë shumë në fund të kampionatit në llogaritë e mbijetesës.
“Pjesa e parë ishte një ndër pjesët më të dobëta që kemi luajtur që kur jam unë trajner tek Egnatia. U mundova gjatë pushimit t’i kap në ndërgjegje lojtarët, nuk kishim probleme taktike. E bëra për të karikuar ekipin, që të ishim më luftarak.
E arritëm qëllimin, shënuam golin e barazimit dhe kishim raste. Pikë e merituar, por nuk mjafton një pjesë e mirë. Duhet të luajmë nga fillimi, por ishte një pikë e madhe. Më vonë do ia dimë vlerën kësaj pike.
Pse e nisëm ndeshjen keq? Nënvlerësimi nuk diskutohet, nuk ka shanse të nënvlerësojmë Kukësin. E filluam ndeshjen me respekt të madh. Ne duhet të jemi shumë luftarakë.
Mund të jemi më të dobët teknikisht dhe taktikisht, por shpirtin luftarak duhet ta kemi më të madh se ekipet e tjera. Në krahun e majtë mungoi dublimi, nuk ishte defekt tjetër.
Në pjesën e dytë kishim më shumë siguri, nuk i lamë të vinin shumë kollaj te porta jonë. Mëkat për rastet e humbura, por do ishim të kënaqur me një barazim përpara ndeshjes, kështu që duhet të jemi të kënaqur”, përfundoi Ramadani. /f.a/abcnews.al

