Mehmet: Skuadra mbështetet te grupi dhe jo te individët, të jemi pragmatistë në sulm

schedule11:40 - 30 Mars, 2022

schedule 11:40 - 30 Mars, 2022

Partizani do të përballet me Vllazninë ditën e nesërme në ndeshjen e vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.

Në konferencën për shtyp trajneri Dritan Mehmeti ka folur për përballjen me shkodranët në Kupë, por nuk la pa përmendur edhe sfidën me Kastriotin që do të luaj ditën e hënë në kampionat.

“Statistikat janë për t’u thyer. Vllazninë e vlerësojmë për vlerat dhe potencionalin. Duam ekuilibër dhe t’i vlerësojmë si duhet të dyja ndeshjet. Kur janë dy ndeshje duhet kujdes, duhet të jemi fanatikë në zbatimin e detyrave. Duhet menduar për dy mundësi. Skuadra duhet të jetë e qetë, por pragmatiste. Lojtarët nuk merren me statistika. Duhet ta shohin si ndeshje radhe dhe të japin maksimumin”.

“Tifozët janë lojtari i 12-të, kemi nevojë për ta. Nuk ia dalim pa ta. Ata na japin entuziazëm, por prania e tyre nuk varet nga ne. Do japim maksimumin. Shpresoj që tifozët të na kuptojnë dhe të na mbështesin”.

“E njoh Plorin, ishte në stafin e Brdaric. Do ketë shumë pak ndryshime dhe ndoshta nuk ka pasur shumë kohë që të injektojë filozofinë e tij. Do marrim masa dhe do përgatitemi për gjithçka, pasi ka ndryshime kur ndryshon trajneri”.

“Organizimi i skuadrës është te grupi, jo te individët. Cara e Marku kanë luajtur 90 minuta me Shqipërinë U21. Nëse i kalon 70 minuta, është një ndeshje e plotë. Edhe Rrapaj u dëmtua aty, ndaj ka ndikuar pak. Gjithsesi nuk trembemi dhe nuk nxjerrim justifikime. Ndeshja mund të spostohej në datë tjetër, pasi janë tre lojtarë. Njëri është dëmtuar, dy të tjerët kanë luajtur 90 minuta. Nuk futemi në garë të barabartë, duhej të ishte bërë një llogari më ndryshe”.

“Dua agresivitet në mbrojtje. Duhet të jemi pragmatistë në sulm, nuk mund të shpërdorojmë aq shumë me kundërshtarë të tillë. Këto situata i kuptojmë ne apo lojtarët. i kuptojmë lojtarët dhe i mbështes. Këmbëngul që të jenë më profesionistë në stërvitje, që të mos përsëriten situata të tilla. Të tilla ndeshje duhen përgatitur në aspektin mendor.

Besoj te skuadra. Kur janë dy ndeshje ke një bonus, që mund të reagosh në mënyra të ndryshme. Unë mundohem të jap maksimumin, shikoj si luan kundërshtari dhe marr masat për cilësitë e tyre dhe shoh ku mund t’i godasim.  Nesër do të jetë një histori tjetër dhe duhet të fokusohemi te vetja. Do mendojmë vetëm për nesër, jo për ndeshjen e radhës. Vllaznia të lë të luash futboll. Do mundohemi ne ta diktojmë ritmin e lojës”. /f.a/abcnews.al